Top Channel ka siguruar dosjen e ish-ushtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili u arrestua të hënën me urdhër të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Gjykata la sot në fuqi vendimin e masës “arrest me burg” për Goxhajn.

Dyshohet se ai ka publikuar në rrjete sociale detaje sekrete nga procesi gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Hagës, përfshirë dëshmi, emra apo të dhëna personale të dëshmitarëve.

Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, “gjykatësi i vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar  që z.Goxhaj, së paku dy herë, zbuloi qëllimisht çfarë besonte dhe deklaroi se ishte informacion i mbrojtur jopublik i dëshmitarëve, përmes një postimi të datës 1 janar 2023 në faqen e Facebook-ut që mban emrin Dritan Goxhaj dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme të shkrimit të Goxhajt më 2 janar 2023 në formën e një artikulli-opinion që u publikua me kërkesën e tij në faqen e internetit të agjencisë së lajmeve KosovaPress me seli në Kosovë. Informacioni që zbulua përfshinte emra, të dhëna personale dhe shtetet e banimit të dëshmitarëve të supozuar në proceset e Dhomave të Specializuara. Në shkrimin e Goxhajt gjithashtu thuhej se në çdo do kohë mund të zbuloheshin edhe të dhënat personale të dëshmitarëve të tjerë të supozuar”.

I arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimi, Goxhaj dyshohet për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku drejtuesi i saj, Faton Klinaku kundërshton arrestimin e Goxhajt.

Nga ana tjetër, Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të bëhet ekstradimi i tij në Hagë.

“Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e z. Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, u bë e ditur nga Dhomat e Specializuara.

Kujtojmë se Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA