Pas arrestimit të ish-anëtarit të UÇK-së me qëllim ekstradimin, policia e Tiranës ka zhvilluar një kontroll në banesën e tij.

Ndaj Dritan Goxhajt është caktuar masa “Arrest në burg”, ndërsa urdhër-arresti ishte lëshuar nga Gjykata Speciale.

Vendimi i datës 20 korrik u ekzekutua nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së tij.

Mësohet se arrestimi i ish-anëtarit të UÇK-së, është bërë me urdhër të Gjykatës Speciale të Kosovës.

Sot më datë 31.07.2023, në kuadër të “Kërkesës se Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, u realizua ekzekutimi i letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për llogari  të procedimit penal në ngarkim të shtetasit Dritan Goxhajt, për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.

Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit Dritan Goxhajt, me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij.

Gjykatesi ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi Dritan Goxhajt, mban përgjegjesi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjate procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit.

Dritan Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë gjatë vitit 1999.

Top Channel