Trump akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë për komplot për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020

02/08/2023 08:30

Prokurori i Posaçëm ngriti të martën akuza të reja pas hetimeve të Departamentit të Drejtësisë ndaj ish Presidentit Donald Trump për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, që rezultuan në protestën e dhunshme të përkrahësve të tij ndaj Kapitolit.

Akt-padia përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve.

Kjo është akt-padia e tretë kriminale ndaj ish presidentit, i cili ka vënë sërisht kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Hetimet federale kishin në qendër përpjekjet e zotit Trump dhe aleatëve të tij për të sabotuar transferimin paqësor të pushtetit, në mënyrë që ai të qëndronte si president, megjithëse kishte humbur ndaj rivalit Joe Biden.

Akuzat e reja janë të pashembullta, për pretendimin e tyre se një ish president, u përpoq të minojë bazat e demokracisë në një përpjekje të dëshpëruar, që më në fund dështoi, për të mos u larguar nga pushteti.

Prokurorët federalë thonë se Donal Trumpi ishte “i vendosur të qëndronte në pushtet”, duke thurrur komplote kundër “themelit ku mbështetet funksionimi i qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara: procesi i grumbullimit, numërimit dhe çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale”. Donal Trump pritet të dalë para gjykatësit të enjten.

Padia e re kriminale ngrihet në një kohë kur Donald Trump është në krye të listës së kandidatëve republikan që synon të sigurojnë emërimin nga partia për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Vetë zoti Trump, përkrahësit e tij dhe madje edhe disa prej kandidatëve republikanë, pritet ta kundërshtojnë akt-padinë dhe ta quajnë një sulm tjetër të motivuar politikisht ndaj tij.

Megjithatë, akuzat rrjedhin nga një prej kërcënimeve më serioze ndaj demokracisë amerikane në historinë moderne. Ato përqëndrohen në ngjarjet që ndodhën gjatë dy muajve, pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020, rezultatin e të cilave ish presidenti Trump refuzoi ta njohë, duke përhapur gënjeshtra se ai ishte fituesi, por votat ishin vjedhur.

Periudha e trazuar kulmoi me protestën e dhunshme para Kapitolit më 6 janar 2021, kur besnikët e zotit Trump, hynë me dhunë në ndërtesën e Kongresit, sulmuan oficerët e policisë dhe ndërprenë procesin e numërit të votave elektorale nga anëtarët e Kongresit.

Në javët që pasuan zgjedhjet, deri tek dhuna ndaj Kapitolit, zoti Trump u bëri thirrje zyrtarëve zgjedhorë të ndryshonin rezultatin e votimit, i bëri presion ish Nënpresidentit Mike Pence të ndërpriste procesin e çertifikimit dhe pretendoi pa të drejtë, se votat ishin vjedhur, një pretendim, që në mënyrë të përsëritur u hodh poshtë nga gjykatës të ndryshëm.

Ngritja e akt-padisë ishte e pritshme, që kur vetë zoti Trump bëri të ditur në mes të korrikut, se Departamenti i Drejtësisë e kishte njoftuar se ai ishte objekt i hetimit mbi ngjarjet e 6 janarit.

Akt-paditë kriminale ndaj zoit Trump, që iu shtohen disa padive civile ndaj tij, përkasin me fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Nëse zoti Trump shpallet fajtor për këtë rast, apo për ndonjë prej çështjeve të tjera të ngritura ndaj tij, kjo nuk e ndalon atë për të vazhduar garën, apo për t’u bërë president, nëse fiton zgjedhjet.

Në Nju Jork, zoti Trump është akuzuar për falsifikimin e të dhënave financiare të biznesit të tij, duke fshehur një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të njohur të filmave pornografikë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Gjyqi për këtë rast fillon në mars të vitit 2024.

Në Florida, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur një akt-padi me mbi 30 akuza kriminale ndaj tij, për zotërim të paligjshëm të dokumenteve sekrete, pasi ishte larguar nga posti i presidentit dhe për fshehje të tyre nga qeveria. Gjyqi për këtë rast fillon në muajin maj.

Akuzat e fundit federale ndaj zotit Trump përqëndrohen në veprimtarinë e tij në Uashington dhe gjyqi do të zhvillohet në një gjykatë që ndodhet midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Data nuk është caktuar ende.

Në shtetin e Xhorxhias, ndërkohë, prokurorët ende po hetojnë rreth përpjekjeve të zotit Trump, për të përmbysur rezultatin në këtë shtet, që ai e humbi ndaj rivalit Biden. Prokurori pritet të njoftojë brenda disa ditësh, nëse do të ngrejë, apo jo akuza, ndaj ish presidentit.

Hetimet e Departamentit të Drejtësisë për përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve u drejtuan nga Prokurori i Posaçëm, Jack Smith./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA