Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest në burg për vëllezërit Martin dhe Alfred Nikolli, të cilët u përfshinë në një konflikt disa ditë më parë.
Martin Nikolli 50-vjeçari, me detyrë nën Oficer Sigurie në Grupet e Shoqërimit, pranë Gardës së Republikës të Shqipërisë, ka përdorur armën e shërbimit jashtë orarit të punës, gjatë konfliktit në Hamallaj në Durrësit.
Oficeri shërbente dhe si shofer zëvendësues i kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, e cila në një reagim zyrtar kërkon zbardhjen e ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në lagjen Hidrovor rreth orës 11:30. Konflikti mes dy familjeve ka nisur prej disa muajsh për një rrugë që kalon pranë familjes Kaçi. Sipas informacioneve, sherri ka nisur për një shikim, “pse sheh nga shtëpia jonë?”, që pjesëtarë të familjes Nikolli i kanë thënë Pjetër Kaçit. Përveç armës së shërbimit, në sherr janë përdorur dhe shkopinj bejzbolli.
Sipas njërit prej djemve të Pjetër Kaçit, Paulinit, konflikti për rrugën vazhdon prej kohësh dhe ka përfunduar në prokurori. Ata janë kapur me fjalë me babanë e tyre të moshuar dhe më pas, pasi i kanë dalë në krah të bijtë, përplasja mes dy familjeve ka qenë fizike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se ndaj Martin Nikollës rëndojnë veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Paulin Kaçi akuzon shoferin e kryeparlamentares Lindita Nikolla se bashkë me familjen e tij bën të fortin dhe nuk i lejon të jetojnë qetësisht në zonën e tyre të banimit.
Pas ngjarjes së rëndë, ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi shkarkimin nga detyra të punonjësit të gardës.
Policia shoqëroi disa persona të përfshirë në konflikt Martin, Alfred, Petrit dhe Arben Nikolli, si dhe Paulin, Sajmir e Kastriot Kaçi.
Top Channel