Kryeministri Edi Rama i kërkon prokurorëve dhe gjykatësve të zbatojnë me përpikmëri ligjin në hetimet ndaj zjarrvënësve.
“Një tjetër zjarrvënës i arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit dhe një tjetër arsye për ta përsëritur apelin ndaj prokurorëve e gjykatësve në rrethe, që të zbatojnë me përgjegjshmëri ligjin, i cili parashikon deri në 15 vjet burg për këtë soj kriminelësh.
Edhe njëherë përgëzime Policisë së Shtetit për punën shumë të mirë që po bën në këtë front të mbrojtjes së një pasurie kolosale, të krijuar nga breza të tërë për brezat e ardhshëm”, shkruan Rama në një postim në “Facebook”.
Për zjarrvëniet në vend, kryeministri reagoi edhe një ditë më parë. Ai u tregua i ashpër ndaj prokurorëve, kur tha se mungon ndëshkueshmëria e plotë, “si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe”.
Disa persona janë arrestuar ditët e fundit, si autorë të dyshuar të disa zjarreve në Lushnjë, Durrës Rrogozhinë e Vlorë.
Top Channel