Edhe gjimnazi “Myslym Keta” në Kombinat do të jetë gati për nxënësit këtë vit të ri arsimor, pjesë e paketës së 10 shkollave të reja që po rindërton Bashkia e Tiranës.

Në një inspektim në kantierin e shkollës, kryebashkiaku Erion Veliaj, u shpreh se, ashtu si edhe shkollat e tjera, rindërtimi i gjimnazit në vendin ku ndodhej, ishte mjaft i rëndësishëm, jo vetëm për nxënësit që i drejtohen kësaj shkolle, por edhe për vetë zonën dhe komunitetin, të cilët përfitojnë nga rritja e vlerës së pronës.

“Shkolla ‘Myslym Keta’ është një shkollë shumë e rëndësishme për Tiranën, por posaçërisht e rëndësishme për Kombinatin. Janë 5-6 shkolla 9-vjeçare, sidomos këto të rejat që kemi bërë, ‘Lasgush Poradeci’, ‘Betim Muço’, ‘Musine Kokalari’, që ushqejnë me gjimnazistë ‘Myslym Ketën’. ‘Myslym Keta”’ka dalë me 10-ta, shkëlqen në të gjitha aktivitet kulturore-artistike që bën qyteti, ‘Tirana Art Fest’, aktivitetet sportive, kështu që vërtet do ishte mëkat nëse shkollën e re do ta çonim në një vend tjetër, ku vërtet mund të ishte kantieri më i lehtë, mund të kishim më shumë hapësirë, por do humbnim vendin, gjëja më e rëndësishme kur vjen puna te një aset arsimor”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë qartësoi edhe një fakt të rëndësishëm në lidhje me shkollat e reja të ndërtuara nga donatorët, të cilat tha ai, po rindërtohen me ritme pak më të ngadalta për shkak të procedurave që kërkohen prej financuesve të projekteve, por siguroi që edhe këto institucione të reja do të hapen brenda këtij viti të ri arsimor.

“E di që ka shumë prindër të cilët pyesin me të drejtë, përse disa shkolla kanë filluar nga zero dhe kanë mbaruar më shpejt, siç ishte ‘Sami Frashëri’, ose “Partizani”, dhe disa shkolla të tjera janë më mbrapa. Përse ky dallim midis shkollave që bën Bashkia dhe shkollave që bëhen në bashkëpunim me BE-në dhe PNUD-in? Është shumë e rëndësishme të sqarojmë të gjithë qytetarët që, së pari, siç thotë ajo shprehja: ‘kalit të dhuruar nuk i shihen dhëmbët’. Kjo do të thotë se këto janë shkolla që po na dhurohen nga BE dhe PNUD-i, dhe duke qenë se kjo dhuratë kalon nën filtrin e burokracisë, jo vetëm të shtetit shqiptar dhe Bashkisë së Tiranës, por edhe të PNUD-it, e të BE-së, sigurisht që kjo burokraci ka marrë pak më shumë kohë. Por në finale, në të gjitha kantieret është duke u punuar“, deklaroi Veliaj.

Ai tha gjithashtu se këtë vit hapen 10 shkolla, ndërsa vitin tjetër do të punohet me shkollat e reja në Astir, Sauk dhe te Liqeni i Thatë.

“Do i ftoja të gjithë prindërit, derisa treguam durim deri tani, duhet të tregojmë edhe pak durim edhe për këtë buqetë të 10 shkollave të fundit, siç janë ‘Myslym Keta’, ‘Emin Duraku’, ‘Asim Vokshi’, ndërkohë do të hapim disa shkolla të tjera që janë ekskluzive të bashkisë, siç është ‘Partizani’ dhe ‘Besnik Sykja’. Eshtë e kotë që ne të bëjmë debate, këto janë ligjet, këto janë rregullat, kjo është dhurata dhe do ta marrim me të gjithë kushtet që ka një donacion i BE-së, sidomos kur ka dhe një operator, që është PNUD-i. Duke shpresuar mirëkuptim, mezi pres që të vazhdojmë përpara edhe këtë semestër, t’i japim Tiranës një buqetë të 10 shkollave dhe pastaj vitin tjetër, shkollat finale të Astirit, të Liqenit të Thatë dhe Saukut, për të mbyllur përfundimisht jo të gjitha problemet e Tiranës, por një nga problemet kryesore të Tiranës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA