Zgjedhjet për kreun e ri të PD/ Mbyllet procesi i votimit, nis numërimi! Votuan 13 700 anëtarë deri në orën 17:00

29/07/2023 19:08

Partia Demokratike mbajti sot zgjedhjet për kreun e ri këtë të shtunë me dy kandidatë në garë, Lulzim Basha dhe Gjergj Hani.

Procesi i votimit i nisur që në orën 8:00, sapo ka përfunduar dhe ka nisur numërimi.

Numri i anëtarëve që iu drejtuan sot kutive të votimit ishte reduktuar krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD, teksa në 12 qarqe ishin 71 qendra votimi.

Deri në orën 17:00 kanë votuar 13 700 anëtarë në të gjithë vendin.

Kandidati Gjergj Hani votoi sot në orën 10.00 tek zyrat qendrore të PD, ndërsa Lulzim Basha në orën 11.00 pranë zyrave të degës nr. 8 në Tiranë.

Kreu i Komisionit Zgjedhor të PD-së, Jemin Gjana në një deklaratë për shtyp një ditë më parë, u bëri thirrje demokratëve që të dalin të votojnë për kreun e ri të PD-së.

“Janë shpërndarë materialet e votimit në të gjitha degët e PD. I ftoj të gjithë demokratët të bëjnë pjesë e këtij votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. 19 degë janë marrë ambiente me qira për të zhvilluar votimin”, tha Gjana.

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar dy net më parë, ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, por ishte grupimi tjetër i Bashës që doli në kundërshti me këtë vendim.

Një ditë më parë grupimi Bardhi çoi në gjykatë çështjen e PD-së, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e Kryesisë dhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës që vijon të jetë kryetar i PD-së në regjistrin e partive politike.

Nga ana tjetër, Kryesia e PD-së disa ditë më parë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.

Kjo situatë brenda partisë rrit mundësinë e një tjetër përballjeje në gjykatë, në kushtet kur ende Gjykata e Shkallës së Parë nuk është shprehur me një vendim se kujt i përket partia, “Rithemelimit” të drejtuar nga Sali Berisha apo grupit tjetër.

FOTO GALERI
1/26

Top Channel