Nesër zgjedhjet për kreun e PD-së, Gjana: Janë shpërndarë materialet e votimit në të gjitha degët

28/07/2023 18:10

Kreu i Komisionit Zgjedhor të PD-së, Jemin Gjana në një deklaratë për shtyp tha se janë shpërndarë materialet zgjedhore në të gjitha degët e PD-së.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të votojnë nesër për kreun e ri të PD-së.

“Janë shpërndarë materialet e votimit në të gjitha degët e PD. I ftoj të gjithë demokratët të bëjnë pjesë e këtij votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike. 19 degë janë marrë ambiente me qira për të zhvilluar votimin”, tha Gjana.

Numri i anëtarëve që pritet t’u drejtohen nesër kutive të votimit është reduktuar në më pak se 1/3 krahasuar me zgjedhjet e fundit të vitit 2021 në PD, nga rreth 75 mijë anëtarë demokratë, në 25 mijë, teksa në 12 qarqe janë përgatitur 71 qendra votime.

Dy kandidatët e një gare të cilësuar me fitues të paracaktuar në PD e vulës të copëzuar në dy pjesë, do të votojnë në selinë me qira, pasi shtëpinë e demokratëve e ka marrë joligjërisht grupimi i tretë, ai i “Rithemelimit”.

Në zgjedhjet e nesërme nuk priten surpriza, nuk ka dyshime së përballë Gjergj Hanit do të jetë Lulzim Basha sërish në krye të PD-së, në një proces statutor apo jo të tillë. Ajo që dihet me siguri është se kjo çështje do të përfundojë përsëri në gjykatë, pasi deputetët demokratë nuk janë në një mendje për ristrukturimin e partisë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi mblodhi Këshillin Kombëtar një natë më parë, ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, por sot ishte grupimi tjetër i Bashës që doli në kundërshti me këtë vendim dhe njoftoi detajet e organizimit të procesit të votimit.

Top Channel