Vdekja e Sinéad O’Connor risjell momentin e kontestuar te grisjes së fotos së Papës në transmetim direkt (fotot)

27/07/2023 18:30

Këngëtarja e njohur irlandeze Sinéad O’Connor ka vdekur dje në moshën 56 vjeçare.

Familja e saj tha në një deklaratë : “Me trishtim të madh njoftojmë se e dashura jonë Sinéad ka ndërruar jetë. Famijarët e miqtë e saj të tronditur kërkojnë privatësi në këtë kohë të vështirë”.

O’Connor po kujtohet gjerësisht tashmë si për muzikën e saj ashtu dhe momentet e kontestuara apo deklaratat rebele që kryente rregullisht në prononcimet e saj.

Gjatë një shfaqjeje në programin Saturday Night Live në vitin 1992 në New York, këngëtarja e hitit  ‘Nothing Compares 2 U’ grisi një foto të Papës Gjon Pauli II, duke u rekomanduar njerëzve ‘të luftojnë armikun e vërtetë’.

NBC e përjashtoi menjëherë O’Connor nga programet e saj, ndërsa jashtë studios në Manhattan njerëzit brohorisnin kundër këngëtares.

O’Connor tha se kishte grisur foton në protestë të abuzimeve seksuale me fëmijë të Kishës Katolike, kreu i të cilës është Papa.


Në librin e saj të kujtimeve në 2021, O’Connor hynte dhe më thellë në detaje.

“Unë kisha dashur të grisja foton e Papës që mbante nëna ime, sepse ai përfaqëson gënjeshtra, gënjeshtarë dhe abuzues.”

O’Connor shkruan në libër se kishte shkuar në shtëpinë e nënës së saj pas vdekjes dhe kishte hequr nga muri një foto të varur aty, që ishte e Papës Gjon Pauli II.

“Nuk e dija se si apo ku do ta shkatërroja, por do ta bëja kur të vinte momenti duhur. Dhe duke pasur këtë në mendje e merrja kudo që shkoja për të jetuar atëherë, sepse askujt nuk i ra ndërmend për fëmijët e abuzuar të Irlandës”, shkruante ajo.

Nëna e këngëtares vdiq në një aksident automobilistik në 1985 dhe kohët e fundit O’Connor ka folur për marrëdhënien e vështirë që kishte me të, e cila e rrihte kur ishte fëmijë.

“Nëna ime ishte një grua shumë e dhunshme, nuk ishte e shëndetshme. Dhe shkaku i këtij abuzimi ndaj meje është efekti i veprimeve të Kishës Katolike në Irlandë. Këto kishin prodhuar dhe nënën time”.

“Këto ishin kushtet shoqërore ku ishte rritur nëna ime. Unë e krahasoj Irlandën me një fëmijë të abuzuar.”

Vdekja e O’Connor vjen 18 muaj pas vetëvrasjes së të birit të saj 17-vjeçar Shane, nga e cila ajo thoshte se “nuk arriti ta merrte veten”.

FOTO GALERI
1/3
O’Connor tha se kishte grisur foton në protestë të abuzimeve seksuale me fëmijë të Kishës Katolike

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA