Debate në Kuvendin e Kosovës/ Qeveria miraton projektligjet me shumicë të thjeshtë, shtyhen marrëveshjet ndërkombëtare

27/07/2023 19:54

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një seri ligjesh në seancën e parafundit të këtij sesioni. Kjo u arrit me votat e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbështetjen e disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në  votim në seancën e mesditës.

Ndërkohë që, të enjten u thirrën seanca të jashtëzakonshme për të shqyrtuar projektligjet për skemat pensionale dhe atë për zyrtarë publik që është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

Në seancë nuk mori pjesë, PDK-ja, derisa AAK-ja dhe LDK-ja, e kundërshtuan votimin e një ligji të kontestuar dhe një kërkesë të dytë të LVV-së për seancë të jashtëzakonshme.

“Unë nuk po shoh diçka të jashtëzakonshme që ne duhet të mblidhemi në orën katër ose në orën dy për t’i trajtuar me një jashtëzakonshmëri dy çështje totalisht të ndryshme, dhe të vijmë përsëri në orën 16:00 po sot, me ftesën që e kemi marrë po sot, me e trajtua një ligj në dy lexime, po sot”, u shpreh deputeti i LDK, Arben Gashi.

“Është totalisht e paprecedantë në historinë e këtij parlamenti dhe parlamentarizmit që të thirret seancë e jashtëzakonshme për një ligj i cili është në trajtim në Gjykatë Kushtetuese”, tha deputeti i AAK, Besnik Tahiri.

Nga partia në pushtet u tha se do vazhdojnë me pikat që për miratim kërkojnë shumicën e thjeshtë, derisa në mungesë të kuorumit të premten për marrëveshjet ndërkombëtare, do kalohen në shtator.

“Në rast të mungesës së kuorumit prej 80 deputetëve, për marrëveshjet ndërkombëtare, ato mbesin për shtator, derisa vazhdohet me ato pika që kërkojnë shumicën e thjeshtë”, thotë Mimoza Kusari – Lila.

Në seancën e parë të jashtëzakonshme, u miratua në lexim të parë projektligjin për skemat pensionale. Derisa kaloi edhe projektligji për pronat e paluajtshme.

Kuvendi e përmbyllë sesionin e verës me seancën e së premtes.

Top Channel