Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për vendosjen e një shiriti kufizues në hapësirën prej nga raportojnë mediat gjatë një seance parlamentare më 27 korrik.

Në hapësirën lart prej nga mediat raportojnë, sipas AGK-së, është vendosur një shirit që ua pamundëson mediave të marrin pamjen e plotë të sallës së Kuvendit dhe të deputetëve.

Kjo ndodhi gjatë një seance plenare ku u miratua në lexim të parë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

“AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi. Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit”, thuhet në një reagim të AGK-së.

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga Kuvendi i Kosovës, janë ankuar se në seancën e së enjtes janë ballafaquar me “kufizim të dukshëm” të kryerjes së detyrave nga hapësira e Kuvendit të Kosovës.

AGK-ja i ka bërë thirrje kryesisë së Kuvendit të marrë masa për ta lehtësuar punën e gazetarëve “pasi raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut”.

Si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit./REL

Top Channel