Situatë apokaliptike! Gjendje e vështirë në disa shtete: Zjarre, stuhi dhe mot i nxehtë

26/07/2023 14:01

Shumë vende po përballen me gjendjen e jashtëzakonshme të zjarreve dhe temperaturave të larta, të cilat kanë shkaktuar edhe viktima, por njëkohësisht nuk ka munguar ekstremiteti tjetër i motit me stuhi dhe breshër.

Një nga vendet më të prekura nga dy ekstremiteti të motit është Italia, mes stuhisë që goditi Lombardinë dhe zjarreve që po përpijnë Siçilinë e Palermon.

Ky vend po shkon drejt gjendjes së jashtëzakonshme në 5 rajone, ndërsa numri i viktimave gjatë 48 orëve të fundit është rritur në pesë. Ndërkohë prej më shumë se 24 orësh vijon operacionet për shuarjen e zjarreve, teksa mbi 2 mijë turistë janë zhvendosur.

Greqia vijon të mbetet nën pushtetin e flakëve, ku më të prekura mbeten ishujt e Rodosit dhe Korfuzit.

Për të 9-tën ditë vijon beteja për shuarjen e zjarreve, ndërsa një ditë më parë rrëzimi i një avioni zjarrfikës gjatë punës në terren i mori jetën dy pilotëve.

Puna për shuarjen e zjarrit kryhet në kushte veçanërisht të vështira moti, me erëra të forta dhe temperature tejet të larta. Si në Rodos ashtu edhe në Korfuz ka pasur rindezje të vatrave të zjarrit, ndërsa në disa vende tashmë mbeten të pakontrollueshme nga zjarrfikësit.

Gjithashtu autoritetet kanë lëshuar një alarm të nivelit të pestë në disa rajone, ku flakët janë të rrezikshme. Turistët nga vendet më të vizituara vijojnë të largohen, njëkohësisht nuk kanë munguar as evakuimet e banorëve. Dëmet mbeten tepër të rënda, pasi shumë ndërtesa, përfshirë hotele dhe biznese, tashmë janë shkrumbuar nga flakët.

Me një situatë tepër të rëndë po përballet Algjeria, e cila ka shënuar 34 viktima, një bilanc i lartë vetëm në pak kohë. Pjesë e viktimave janë edhe ushtarë e ekip që po luftojnë me flakët masive që kanë pushtuar vendin.

Temperaturat deri ën 48 gradë Celsius e kanë rënduar më shumë gjendjen, teksa ekipet e zjarrfikësve dhe vullnetarët janë në luftë me kohën. Mijëra njerëz janë evakuuar për shkak të rrezikut. Më shumë se 80 persona, 25 prej tyre ushtarakë mbetën të lënduar. Mijëra personel I emergjencës ka arritur të neutralizojë 97 zjarre vatra zjarri, ndërsa 11 janë ende të pakontrollueshme nga ata.

Portugalia gjithashtu po përballet me situatë të vështirë të zjarreve, ndërsa ekipet e shpëtimit ndodhen në terren për të marrë nën kontroll flakët. Në ndihmë kanë ardhur edhe shumë vullnetarë, të cilët po përpiqen të shuajnë flakët, edhe me mjete rrethanore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA