Deti Mesdhe thyen rekord, arrin temperaturën më të lartë të shënuar ndonjëherë

26/07/2023 11:58

Deti Mesdhe arriti temperaturën më të lartë të regjistruar deri më tani, me një rekord të ri prej 28.71 gradë Celsius.

“Ne arritëm një rekord të ri… në temperaturën mesatare ditore të sipërfaqes së detit të Mesdheut”, njoftoi Instituti Spanjoll i Shkencave Detare, duke analizuar të dhënat nga satelitët e përdorur nga programi evropian i vëzhgimit të Tokës Copernicus.

Rekordi i fundit ishte në 23 gusht të vitit 2003 me një vlerë mesatare prej 28.25 gradë Celsius.

Copernicus nuk i ka konfirmuar ende këto shifra, ndërsa në fillim të qershorit raportoi se temperaturat globale tejkaluan nivelet para-industriale me më shumë se 1.5 gradë, që është kufiri më ambicioz për ngrohjen globale në Marrëveshjen e Parisit 2015.

Temperatura të tilla kërcënojnë jetën detare. Gjatë valëve të mëparshme të të nxehtit midis viteve 2015 dhe 2019, rreth 50 lloje, duke përfshirë koralet dhe molusqet, u asgjësuan.

Rajoni i Mesdheut, i goditur nga temperatura rekord në korrik, është klasifikuar prej kohësh si një pikë e nxehtë e ndryshimeve klimatike.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, institucion i Kombeve të Bashkuara, ka paralajmëruar për një ndryshim drastik në ekosistemet detare në Mesdhe që nga vitet 1980 me një rënie të biodiversitetit dhe ardhjen e disa specieve pushtuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA