Ka marrë vendim të formës së prerë grabitja në brendësi të pistës të Rinasit, në të cilën u rrëmbyen përmes një furgoni të loguar “Hetimi Tatimor” pothuajse 4.6 milionë euro.
Gjykata e Posaçme e apelit la në fuqi dënimet e shpallura muaj më parë duke konfirmuar shpalljen fajtor të Klement Çalës dhe dënimin e tij me 20 vjet burgim.
Edhe i vëllai Eldi Çala u cilësua i fajshëm nga gjykata dhe u dënua me 17 vjet burgim, dhe të njëjtën masë me nga 17 vjet heqje lirie morën edhe Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi.
Shtatëshja e grabitësve spektakolarë kishte si bashkpuntorë edhe Admir Muratajn vrarë gjatë arratisjes nga grabitja dhe Talo Çelën, një gjykim i veçuar për të teksa ai prej vitesh kryeson listën e të kërkuarve.
Për Ragip Hajdinin çështja u pushua mbasi ai ndërroi jetë në burg. Grabitja në aeroport që konsiderohej si vendi më i kontrolluar, u krye prillin e 2019 nga pesë persona të maskuar, ndërsa ndihmësit e tyre kishin studiuar lëvizjet e ngarkesave me euro që duhet të transportoheshin me avion jashtë Shqipërisë. Në largim e sipër nga skena e krimit, Murataj u vra, ndërkohë që policia gjeti të djegur automjetin e arratisë.
Ngjarja e denjë për film u zbërthye nga Alkond Bengasi që rrëfeu rolin e secilit.
Top Channel