Protesta të dhunshme në Izrael, shkak reforma gjyqësore e miratuar nga parlamenti

25/07/2023 12:06

Protestat e dhunshme në Izrael u ndezën sërish, këtë herë për shkak të miratimit të ligjit nga parlamenti për për të kufizuar kompetencat e Gjykatës së Lartë.

Policia izraelite u përlesh me turmat e protestuesve gjatë natës, ku nuk munguan as arrestimet. Forcat e rendit në Jerusalem dhe Tel Aviv përdorën presionin uji për të shpërndarë protestuesit që bllokonin autostradat. Kritikët deklaruan se reformat e qeverisë së djathtë kërcënojnë demokracinë izraelite.

Pas muajsh protestash masive në rrugë për reformën në drejtësi, votimi i së hënës në parlament ishte një fitore e rëndësishme për kryeministrin Benjamin Netanyahu. Ky vendim pjesë e një pakete të madhe reformash, do të parandalojë gjykatën të rrëzojë veprimet e qeverisë që i konsideron të paarsyeshme.

Netanyahu deklaroi se votimi i reformës ligjore ishte hap i domosdoshëm demokratik, ndërsa i oftoi opozitës të diskutojnë.

“Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për negociata dhe arritjen e marrëveshjeve. Nuk po heqim dorë nga shansi për të arritur një konsensus të gjerë dhe po ju them se është e mundur. Në ditët në vijim koalicioni do të kontaktojë me opozitën për të nisur një dialog mes nesh”, tha ai.

Një grup mbikëqyrës politik dhe kreu i opozitës qendrore Yair Lapid planifikojnë t’i bëjnë kërkesë Gjykatës së Lartë për të anuluar ligjin e ri.

Nga ana tjetër sindikatat kanë kërcënuar se do të zhvillojnë një grevë të përgjithshme dhe mijëra rezervistë ushtarakë, duke përfshirë pilotët e forcave ajrore, nëse ligji lejohet të zbatohet.

Top Channel