Gati 2,000 pinguinë janë gjetur të vdekur në bregun lindor të Uruguait në dhjetë ditë, me shkakun e pashpjeguar, nuk ka mundësi të jetë gripi i shpendëve, sipas autoriteteve.

Pinguinët Magelanik, shumica e tyre të rinj, ngordhën në Oqeanin Atlantik dhe u shpërndanë nga rrymat në brigjet e prefekturave Cannellones, Maldonado dhe Rocha (jug, jug-lindje), shpjegoi Carmen Laisagogen, përgjegjëse për faunën në Ministrinë e Mjedisit.

Sipas saj, “90% ishin pinguinë të rinj”, në brigje ishin “pa rezerva yndyre dhe me stomak bosh”. Testet për të përcaktuar nëse ata ishin infektuar me gripin e shpendëve dolën negative, shtoi ajo.

Kjo specie pinguinësh, e cila zakonisht shumohet në Argjentinën jugore, migron në veri në kërkim të ujërave më të ngrohta gjatë dimrit të hemisferës jugore. Mund të arrijë deri në bregun e shtetit brazilian të Espiritu Santo (juglindje).

“Është normale që një përqindje të vdesë, por jo kaq e madhe”, theksoi Laisagogen, duke kujtuar se një numër i ngjashëm vdekjesh u regjistrua vitin e kaluar në Brazil dhe në atë rast pa shpjeguar shkakun.

Hector Kaimaris, përgjegjës për lagunën e mbrojtur Rotsa, tha se më shumë se 500 pinguinë u numëruan të vdekur në një shtrirje dhjetë kilometra të bregdetit.

Ambientalistët ia atribuojnë vdekshmërinë e pinguinëve Magelanik peshkimit të tepërt dhe peshkimit të paligjshëm.

“Nga vitet 1990 dhe 2000 filluam të shohim kafshë që nuk kishin ushqim të mjaftueshëm,” tha Richard Tesore i organizatës joqeveritare SOS Rescate de Fauna Marina, duke theksuar “mbishfrytëzimin” e burimeve detare.

Sipas tij, një ciklon që u formua në Atlantik dhe goditi Brazilin juglindor ndoshta çoi në vdekjen e zogjve më të dobët të detit.

Përveç pinguinëve, Tesore tha se shumë kafshë të tjera detare u gjetën të ngordhura – duke përfshirë kormoranët, albatrosët, pulëbardhat, breshkat e detit dhe luanët e detit – në brigjet e Maldonados, në lindje të kryeqytetit Montevideo.

Top Channel