Prodhimi i ulët bujqësor pushtoi debatet e parlamentit në Kubë, në një kohë kur ishulli është i detyruar të importojë 100% të ushqimit të tij, ndërsa përballet me krizën më të rëndë ekonomike në tre dekada.
Asambleja Kombëtare e Pushtetit Popullor, e cila përfundon mbledhjen këtë të shtunë, fokusoi një pjesë të mirë të debateve në mungesat ushqimore, në një kohë kur vendasit ankohen për mungesë të theksuar produktesh bazë dhe çmime të larta.
Zëvendëskryeministri, José Luis Tapia, raportoi rënien e prodhimit vendas, teksa ofroi disa zgjidhje për të arritur përmirësimin e gjendjes.
“Kuba importon produkte me vlerë mbi 1.5 miliardë dollarë. Ne duhet t’i prodhojmë këto produkte në vend. Ekziston një mungesë e njohurive për përmbajtjen e ligjit, problemi është se nuk po bëhet punë e mjaftueshme”, tha ai.
Ndër të tjera ai pranoi mungesën e karburantit dhe fuqisë punëtore në fusha, ku bëhet prodhimi i drithërave dhe produkteve të tjera.
Një nga sugjerimet e tij ishte edhe shitja e produkteve me çmime të ndryshme, në bazë të nevojës dhe ndarjes së kategorive në shoqëri.
Në mes të krizës më të rëndë ekonomike në tre dekada, Kuba miratoi në vitin 2021 kompanitë e vogla dhe të mesme, të cilat po fitojnë me shpejtësi prezencë në shitjen e ushqimeve dhe produkteve bazë.
Top Channel