300 kapela të kaltra fluturuan në ajrin e Amfiteatrit të Liqenit Artificial nga studentët që përmbyllën ciklin e studimeve bachelor, në të pesë fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës.
Kjo ceremoni diplomimi ishte jo vetëm e mbushur me emocione, por edhe me një garanci më shumë për të rinjtë që presin t’u bashkohen tregut të punës apo të vijojnë rrugëtimin akademik në një cikël tjetër. E pranishme në ceremoninë e diplomimit, me ftesë nga senati akademik i UET, Shefja Ekzekutive e Agjencisë Britanike e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë Vicki Stott foli rreth rëndësisë që ka vlerësimi institucional mbi cilësinë, i cili bazohet mbi standardet dhe udhëzimet e zonës europiane të arsimit të lartë.
“Ekipi vlerësues është i lumtur të pohojë se Universiteti Europian i Tiranës i përmbush të gjitha standardet e cilësisë të vendosura në Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Europiane të Arsimit të Lartë. Akreditimi ndërkombëtar jepet pas një procesi rigoroz që përfshin të gjithë universitetin: akademikët, ekipin drejtues, punonjësit dhe sigurisht studentët. Ky akreditim 5 vjeccar, i arritur për herë të parë nga një universitet shqiptar, i jepet institucioneve që i kalojnë standardet e rrepta të vlerësimit të kësaj agjencie, e cila mat dhe vlerëson universitete në të gjithë botën dhe UET e ka merituar në të gjitha fushat”– tha Stott.
Rektori i Universitetit Europian të Tiranës duke falënderuar agjencinë britanike për Sigurimin e Cilësisë, QAA dhe rekomandimet e tyre për të vënë studentin në qendër për mësimdhënien, mësimnxënien dhe vlerësimin, shtoi se në dekadën e tij të dytë, UET rritet përditë në prestigjin akademik e shkencor, në përballje me universitetet partnere në botë.
E ftuar në ceremoni ishte edhe ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, e cila vlerësoi idetë novatore të themeluesve të UET, gati dy dekada më parë dhe po ashtu punën e vazhdueshme të senatit akademik që e bën atë një universitet të suksesshëm në treg.
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, zoti Selami Xhepa tha se shqyrtimi rigoroz dhe vlerësimi institucional nga agjencia britanike QAA është tregues se UET vijon të ruajë traditën e një institucioni me reputacion të mirë në tregun e arsimit të lartë në vend.
Një vit më parë, UET u bë i pari universitet në Shqipëri, që arriti akreditimin ndërkombëtar nga Agjensia Britanike e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë.
Ky vlerësim e bën UET të jetë i vetmi universitet shqiptar që ka kaluar një proces të tillë, një garanci për rritjen e cilësisë dhe reputacionit global. Në këtë dekadë të dytë, të diplomuarit e UET kanë një njohje dhe garanci të shtuar për tregun global të punës, i cili synon të dalë përtej hapësirave shqiptare, drejt studentëve të huaj.
Top Channel