Nëse debutimi i Lionel Messit në Amerikë me fanellën e Inter Miami do të ishte një skenar filmi, atëherë nuk do të kishte një skenar më perfekt se ajo që ndodhi me argjentinasin në sfidën ndaj Cruz Azul.
Ndeshjen e Ligës së Kupës ndaj skuadrës meksikane, Messi e nisi në stol për t’u aktivizuar në minutën e 54.
Rezultati ishte 1-0 për të tijtë, mirëpo në të 65-tën, Inter Miami pësoi golin e barazimit. Të gjithë sytë e të pranishmëve ishin pikërisht mbi Kampionin e Botës i cili duhej të “shpikte” një magji si ato që ka bërë gjatë gjithë karrierës. Dhe, 36-vjeçari nuk i zhgënjeu pritshmëritë e mbi 20.000 të pranishmëve në stadium teksa në të 94-tën mori përsipër ekzekutimin e një goditje dënimi në afërsi të zonës kundërshtare.
Rezultati? Topi në trekëndësh me portierin që nuk mund të bënte asgjë dhe stadiumi në festë. Ishte perla e parë e Messit në Amerikë, një gol deçiziv që i dhuroi fitoren dhe tre pikët Inter Miamit në fazën e grupeve të Kupës së Ligës.
Padyshim debutimi i ëndrrave për “pleshtin” që në fund mori edhe përgëzimin e David Beckham teksa në Amerikë duhet të mësohen me spektaklin pasi ishte pikërisht kjo arsye pse e transferuan një si Lionel Messi./ SuperSport
Top Channel