Biznesmeni amerikan, Paul Kaufmann, i ka dhuruar ato që besohet se janë pjesë të kafkës së Ludwig van Beethovenit në Universitetin e Vjenës, për qëllime studimi.
Kaufmann ka thënë se ndihet “shumë i privilegjuar që mund të kthejë pjesë të kafkës së Beethovenit, aty ku e kanë vendin”.
Një mjek austriak ka thënë se këto pjesë, të cilat veçse janë studiuar në Shtetet e Bashkuara, kanë “vlerë të madhe”.
Kompozitori austriak ka vuajtur nga shëndeti i lig gjithë jetën dhe ka vdekur në Vjenë më 1827.
Biznesmeni amerikan ka thënë se i ka gjetur pjesët e kafkës më 1990, në një kuti të familjes, që është ruajtur nga një bankë franceze.
Në total janë 10 pjesë, përfshirë dy copa të mëdha – një nga pjesa e prapme e kokës dhe tjetra nga ana e djathtë e kokës.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Vjenë, Markus Mueller, ka thënë se është shumë e rëndësishme që dorëzimi dhe trajtimi i këtyre pjesëve të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Ka të bëjë me gjetjen e balancit në mes të interesit të publikut dhe respektit për një person të vdekur”, ka thënë ai.
Beethoven ka lindur në Bon, në dhjetor të vitit 1770 dhe ka vdekur më 27 mars 1827. Ai besohet të ketë kërkuar që trupi i tij të studiohet pas vdekjes, për shkak të sëmundjeve që ka pasur.
Më herët gjatë këtij viti, disa hulumtues të Universitetit të Kembrixhit kanë thënë se analiza e flokëve të kompozitorit ka treguar se Beethoven ka pasur predispozita gjenetike për sëmundje të mëlçisë dhe ka vuajtur nga Hepatiti B, disa muaj para vdekjes.
Ai fillimisht ka vuajtur nga humbja e dëgjimit rreth vitit 1795, komplikim shëndetësor që vetëm se i është përkeqësuar me kalimin e viteve dhe ka rezultuar me shurdhim të plotë më 1818.
Top Channel