Myslimanët nëpër botë të zemëruar me përdhosjen e Kuranit në Suedi

21/07/2023 11:21

Kombet me shumicë myslimane shprehën të premten zemërim pas përdhosjes së një kopjeje të Kuranit në Suedi. Disa u përgatitën për demonstrata në rrugë pas lutjeve të mesditës, për të shprehur zemërimin e tyre.

Në Iran, Irak dhe Liban, protestuesit planifikuan demonstrata pasi policia suedeze lejoi një protestë të enjten, në të cilën një i krishterë irakian që jetonte në Stokholm shkelmonte dhe qëndronte mbi një Kuran, librin e shenjtë të Islamit, jashtë ambasadës së Irakut.

Kryeministri i Irakut Shia al-Sudani ka urdhëruar dëbimin e ambasadorit suedez nga Iraku dhe tërheqjen e të ngarkuarit me punë të Irakut nga Suedia.

Në Iranin fqinj, demonstruesit gjithashtu planifikonin të dilnin në rrugë. Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian i ka shkruar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara lidhur me përdhosjen e Kuranit dhe ka thirrur ambasadorin suedez.

“Ne e konsiderojmë qeverinë suedeze përgjegjëse për rezultatin e reagimeve provokuese nga myslimanët e botës”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanaani.

Burri në Stokholm gjithashtu fshiu këmbët e tij me një fotografi të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei gjatë protestës së tij, dhe bëri një veprim të ngjashëm me një foto të klerikut të famshëm shiit irakian, Muqtada al-Sadr.

Grupi militant shiit i Libanit, Hezbollah, gjithashtu bëri thirrje për një demonstratë të premten pasdite. Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, përmes një fjalimi të enjten mbrëma u bëri thirrje myslimanëve që të kërkojnë nga qeveritë e tyre të dëbojnë ambasadorët e Suedisë.

“I ftoj vëllezërit dhe motrat në të gjitha lagjet dhe fshatrat që të marrin pjesë në të gjitha xhamitë, të kërkojnë nga shteti që të mbajë një qëndrim ndaj Suedisë”, tha Nasrallah në fjalimin, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit.

Arabia Saudite dhe Katari, thirrën diplomatët suedezë për të dënuar përdhosjen. Ministria e Jashtme e Turqisë gjithashtu e kritikoi veprimin.

Në Pakistan, kryeministri Shehbaz Sharif dënoi ashpër ngjarjet në Suedi. Ai i bëri thirrje Organizatës së Bashkëpunimit Islamik prej 57 vendesh që të luajë një “rol historik në shprehjen e ndjenjave të myslimanëve dhe ndalimin e këtij demonizimi”.

Të enjten në mëngjes, protestuesit në Bagdad sulmuan ambasadën suedeze për disa orë dhe vunë një zjarr të vogël. Stafi i ambasadës ishte evakuuar një ditë më parë. Pasi protestuesit u larguan nga ambasada, diplomatët e mbyllën atë për vizitorët pa specifikuar se kur do të rihapet.

Kryeministri Sudani tha në një deklaratë se autoritetet irakiane do të ndjekin penalisht ata që janë përgjegjës për ndezjen e zjarrit dhe iu referua një hetimi të “zyrtarëve të pakujdesshëm të sigurisë”. Muajin e kaluar, një burrë dogji një Kuran jashtë një xhamie në Stokholm gjatë festës kryesore myslimane të Kurban Bajramit, duke shkaktuar zemërim botën islame.

E drejta për të mbajtur protesta të tilla publike mbrohet nga Kushtetuta në Suedi.

Policia suedeze në përgjithësi jep leje bazuar në faktin nëse ajo beson se një tubim publik mund të mbahet pa ndërprerje të mëdha ose rreziqe sigurie. Për myslimanët, djegia e Kuranit përfaqëson një përdhosje të tekstit të shenjtë të fesë së tyre.

Djegiet e Kuranit në të kaluarën kanë ndezur protesta në të gjithë botën myslimane, disa prej të cilave janë kthyer në protesta të dhunshme. Në Afganistan, talibanët pezulluan të gjitha aktivitetet e organizatave suedeze në vend.

Një protestë e ngjashme nga një aktivist i ekstremit të djathtë u mbajt jashtë Ambasadës së Turqisë në fillim të këtij viti, duke ndërlikuar përpjekjet e Suedisë për të bindur Turqinë që ta lejojë atë të anëtarësohet në NATO.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA