Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur akuzave të Berishës, i cili tha se është shndërruar në peng të Edi Ramës pasi i frikësohet burgut.
Përmes një mesazhi në Twitter, Basha kërkoi votimin e vettingut për politikanët, si një mundësi për të bërë transparencë dhe treguar se kush është pengu, kush është i korruptuari dhe kush është i lidhur me krimin.
Basha i cilësoi deklaratat e Berishës një mal me gënjeshtra për të mbajtur peng me çdo kusht PD-në.
“Koha është ilaçi më i mirë. Dhe koha e rrëzoi malin e gënjeshtrave që ngriti para shqiptarëve ai që kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale.
Që ti japim fund baltosjes, që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët. Të nisë transparenca nga unë e më pas të gjithë këta që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë”- shkruan Basha.
Më herët, Berisha tha se Lulzim Basha është shndërruar në funksion të Edi Ramës, pasi iu frikësohet hekurave. Sipas Berishës, Rama e pret fletën e arrestit kur të dojë për Lulzim Bashën, me afat burgimi minimumi 6-vjeçar.
Top Channel