Ish-presidenti Donald Trump thotë se një akuze të re federale ndaj tij është shumë pranë.
Në platformën e tij sociale “Truth Social”, zoti Trump njoftoi të martën se ishte informuar nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith se ai ishte në “shënjestër” të një hetimi mbi sulmin e 6 janarit në Kapitol dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ish-presidenti shkroi se e mori njoftimin të dielën mbrëma dhe iu dhanë katër ditë në të cilat ai mund të paraqitej vullnetarisht përpara një jurie të madhe që po e hetonte atë.
Dërgimi i një letre të tillë “pothuajse gjithmonë nënkupton një arrestim dhe ngritje të një aktakuze”, shkroi zoti Trump.
Ekspertët ligjorë janë dakord se hetimi disamujor i Prokurorit të Posaçëm ndaj ish-presidentit Trump duket se do të përfundojë me ngritjen e një aktakuze ndaj tij.
Letra ku shpjegohet se je në shënjestër të një hetimi “thuajse gjithmonë lëshohet pak përpara se një jurie të madhe t’i kërkohet ngritja e një aktakuze”, thotë Paul Rosenzweig, ish-prokuror federal, i cili tani punon në fakultetin e Drejtësisë dhe Sigurisë të Universitetit Amerikan.
Kjo do të ishte aktakuza e dytë federale ndaj zotit Trump në dy muaj.
Muajin e kaluar, ai u akuzua për shkelje të ligjit për mbajtjen e dokumenteve sekrete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, duke u bërë ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza federale. Zoti Trump është deklaruar i pafajshëm në këtë rast dhe e ka cilësuar hetimin e Prokurorit të Posaçëm “ndërhyrje në zgjedhje”.
Zotit Trump iu dha një letër që shpjegonte se ai ishte në shënjestër të hetimit rreth 20 ditë përpara se të akuzohej për çështjen e dokumenteve sekrete. Ekspertët ligjorë thonë se ngritja e një aktakuze të dytë federale ndaj ish-presidentit mund të marrë 20 ditë ose më pakë kohë.
Ja çfarë duhet të dini për rastin që mund të çojë në aktakuzën e dytë federale ndaj ish-presidentit Trump:
Ku është përqëndruar hetimi i Prokurorit të Posaçëm?
Hetimi i Prokurorit të Posaçëm ndaj ish-preisdentit Trump pjesërisht rezultoi nga hetimi masiv i Departamentit të Drejtësisë mbi ngjarjet që lidhen me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump.
Hetimi fillimisht u përqëndrua në ndjekjen e autorëve të dhunës dhe më pas u zgjerua tek përpjekjet e ish-presidentit Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij për të përmbysur fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Hetimi u përshpejtua pasi Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, duke përmendur kandidimin e zotit Trump për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, emëroi zotin Jack Smith në postin e Prokurorit të Posaçëm nëntorin e kaluar.
Prokurori Smith kishte për detyrë të ndiqte dy linja të veçanta hetimi ndaj ish-presidentit Trump. E para përfshinte shkeljet lidhur me mbajtjen e dokumenteve sekrete nga zoti Trump, që rezultoi në ngritjen e një padie ndaj tij muajin e kaluar. E dyta u përqëndrua në rolin e zotit Trump në ngjarjet që çuan në sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Ku është përqëndruar hetimi?
Prokurori Jack Smith e ka mbajtur hetimin e tij të fshehtë, duke premtuar vetëm se do ta kryej atë “me shpejtësi dhe hollësi” bazuar në fakte dhe ligj.
Por raportimet publike tregojnë se Prokurori i Posaçëm ka ndjekur linja të shumta në hetimin e tij.
Njëra linjë përfshin përpjekjet e zotit Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij për të krijuar një listë të elektorëve të rremë në shtatë shtete që i kishte fituar zoti Biden. Elektorët nënshkruan certifikata të falsifikuara, ku thuhej se zoti Trump kishte fituar në ato shtete, duke kundërshtuar rezultatin zyrtar. Të martën, prokurorët në Miçigan njoftuan ngritjen e akuzave kundër 16 republikanëve që dyshohet se vepruan si “elektorë të rremë” në zgjedhjet e vitit 2020.
Linja e dytë e hetimit është përqëndruar në fushatën e zotit Trump dhe të tjerëve për të detyruar nënpresidentin e atëhershëm Mike Pence të bllokonte Kongresin që të çertifikonte fitoren e zotit Biden. Zoti Pence refuzoi, duke thënë se ai nuk kishte kompetenca për të ndryshuar rezultatin e Kolegjit Zgjedhor dhe se roli i tij në proces ishte vetëm ceremonial.
Linja e tretë e hetimit përqëndrohet në mbledhjen e fondeve paszgjedhore nga zoti Trump. Komisioni i 6 janarit zbuloi se fushata e zotit Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan kishin grumbulluar më shumë se 250 milionë dollarë në fonde, duke pretenduar në mënyrë të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur dhe se atij i duheshin para për të luftuar mashtrimin.
Cilat janë akuzat e mundshme me të cilat mund të përballet zoti Trump?
Me kaq shumë linja hetimi, analistët ligjorë paralajmërojnë kundër spekulimeve mbi akuzat e mundshme kundër zotit Trump.
“Ka aq shumë tema në aktivitetet e zotit Trump më 6 janar sa që është e vështirë të parashikohet me saktësi se cilën temë të veçantë ka vendosur të ndjekë prokurori,” tha zoti Rosenzweig. “Unë nuk mendoj se do ta dimë derisa të shohim detajet”.
Sidoqoftë, letra e Prokurorit të Posaçëm lë të kuptohet për disa akuza të mundshme.
Sipas njoftimeve të lajmeve, letra citon tre çështje të mundshme penale në lidhje me hetimin e zotit Trump – komplot për të kryer shkelje ose mashtrim ndaj Shteteve të Bashkuara; privimi i të drejtave sipas ligjit; dhe presioni ndaj një dëshmitari, viktime ose informatori.
Të tre shkeljet mbulojnë një gamë të gjerë krimesh dhe ekspertët ligjorë paralajmëruan se do të ishte spekulative të merret me mend se si prokurorët mund t’i përdorin ato për të ngritur një padi kundër zotit Trump.
“Unë supozoj, edhe pse nuk mund të jetë e sigurt, se akuza e konspiracionit këtu i referohet një përpjekjeje për të sjellë përpara elektorë mashtrues me vetëdije dhe për të sajuar skemën që të paktën të vononte votimin e Kongresit ose më së shumti për ta penguar atë,” tha Daniel Richman, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Kolumbisë dhe një ish-prokuror federal.
Ligji për “privimin e të drejtave” përdoret shpesh për të ndjekur penalisht brutalitetin e policisë.
“Por ky ligj ka shumë përdorime të tjera dhe mund të përfshijë, le të themi, një përpjekje për t’i privuar individët ose grupet e individëve nga disa të drejta statutore që duhet të respektohen në bazë të disa ligjeve për këtë qëllim,” tha zoti Richman.
“Ky ligj ka kaq shumë përdorime të ndryshme sa që është vërtet e pamundur në këtë fazë të hamendësohet se cilat të drejta të veçanta pretendohet se janë shkelur në këtë rast”.
Në raportin e tij përfundimtar, komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit rekomandoi që Departamenti i Drejtësisë të akuzonte zotin Trump për nxitje të një kryengritjeje, komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara dhe pengim të një procesi zyrtar.
Por Prokurori i Posaçëm nuk i referohet kryengritjes ose rebelimit në letrën e tij, duke sugjeruar se ai ose nuk ka ndërmend ta ndjekë akuzën ose planifikon ta ngrejë atë më vonë përmes një aktakuze zëvendësuese, sipas ekspertëve ligjorë.
Kush tjetër mund të akuzohet?
Nuk është e qartë nëse prokurori Smith planifikon të akuzojë ndonjë bashkëpunëtor në skemën e supozuar për të mbajtur zotin Trump në detyrë. Asnjë nga aleatët e ish-presidentit nuk besohet të ketë marrë një letër në lidhje me rastin.
Por kjo mund të ndryshojë në ditët dhe javët në vijim. Dhe nëse zoti Trump akuzohet, ka të ngjarë që ai të akuzohet së bashku me të tjerët, tha Jordan Strauss, drejtor menaxhues në Kroll, një firmë këshilluese financiare dhe rreziku, dhe një ish-prokuror federal.
Kjo për shkak se “disa nga krimet për të cilat ai mund të akuzohet do të kërkonin veprim me të tjerët – “komplot”, tha zoti Strauss.
Top Channel