Në fillim të këtij muaji, Organizata Botërore Meteorologjike regjistroi javën më të nxehtë të verës. Temperaturat përvëluese nuk janë ulur ende, pasi valët e të nxehtit vazhdojnë në Evropë, Amerikën e Veriut, Azi, Afrikën e Veriut dhe jo vetëm.
Ndërsa planeti ngrohet, njerëzit kanë “ngecur” sa i përket organizimit të jetës së tyre, në modelet e vjetra të motit, atëherë kur i nxehti përvëlues zgjaste më pak, thotë profesori i shkencave termike në Shkollën Inxhinierike të Universitetit të St. Thomas në SHBA, John P. Abraham.
“Ajo që dikur ishte një valë e të nxehtit 1 deri në 2 ditë, tani është 3 deri në 5 ditë. Njerëzit që mund të përballonin të nxehtin e tepërt për një ose dy ditë do të kenë shumë më tepër probleme me kohëzgjatjen e tij”- u shpreh ai.
Ndërsa shkencëtarët parashikojnë se ndryshimi i vazhdueshëm i klimës do të vazhdojë të rrisë temperaturat dhe të normalizojë valët e të nxehtit, mënyra se si jetojnë njerëzit po ndryshon. Dhe bashkë me të edhe mënyra se si punojnë. Punëtorët duhet të dinë se çfarë mund të ndodhë për ta nëse punojnë me orare të gjata në të nxehtë, dhe kompanitë gjithashtu duhet të ngrihen në këmbë për t’i mbrojtur ata.
Puna në zyra dhe ambientet e jashtme
Ndryshimet në vendin e punës në përgjithësi do të ndahen në dy kategori, thonë ekspertët.
Parësore janë mjediset e jashtme dhe jo të ftohta – të tilla si bujqësia ose prodhimi – në të cilat temperaturat e larta nuk kontrollohen. Në vitin 2022, një pastrues rrugësh në Madrid vdiq nga goditja për shkak të të nxehtit pasi punoi në temperatura ekstreme. Prandaj, akademikët thonë se disa nga ndryshimet më të mëdha ka të ngjarë të ndodhin në këto lloj mjedisesh pune, për të mbrojtur punëtorët.
“Të punosh jashtë në vapë do të kërkojë turne më të shkurtra me më shumë pushime dhe më shumë punë gjatë natës”- thotë Abraham.
Megjithatë, edhe pse ka të ngjarë që ky grup punëtorësh të pësojë një zhvendosje të orëve të punës vonë në mbrëmje, kjo qasje nuk është një kurë për të gjitha problemet dhe ende paraqet rreziqe. Së pari, sqaron Abraham, temperaturat gjatë natës po ngrohen më shpejt se ato të ditës.
“Nëse punëtorët punojnë në vapë gjatë ditës, temperaturat e natës janë mjaft të nxehta sa trupi i tyre nuk mund të ftohet dhe ata do ta kenë shumë më të vështirë punën ditën tjetër”- shpjegon ai. Çështje të tjera të sigurisë, si të punuarit në errësirë, mund të paraqesin gjithashtu probleme.
Për punëtorët në mjedise jo të kontrolluara nga temperatura (vendet ku nuk është aq nxehtë), Abraham beson se pajisjet e ftohjes me ajër të kondicionuar do të bëhen më të zakonshme dhe punëdhënësit do të duhet të planifikojnë pauza për ta. Pushimet disaminutëshe janë të mjaftueshme për të qetësuar temperaturën e trupit të tyre, me qëllim që ata të rikthehen në punë përsëri.
Punonjësit që punojnë brenda ose në mjedise të ftohta mund të jenë relativisht më të sigurt nga ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme, por edhe ata gjithashtu duhet të presin ndryshime në rutinat e tyre të punës.
“Angazhimet bashkëkohore të punës si puna në distancë; puna hibride, që u lejon punonjësve fleksibilitet; javët katër-ditore, që parashikojnë punë 4 ditë në javë; dhe 6 orë punë në ditë në vend të 8 orëve, po provohen të jenë të dobishme në situatat e valëve të të nxehtit”- thotë Mansoor Soomro, një pedagog i lartë në qëndrueshmërinë, biznesin ndërkombëtar, udhëheqjen, menaxhimin dhe burimet njerëzore në Teesside University International Business School, të Britanisë së Madhe.
“Kjo redukton lëvizjen në punë, gjë që mund të zbrazë energjinë e punonjësve. Punonjësit gjithashtu mund të ndihen më rehat me të nxehtin në shtëpi falë veshjes joformale”- shprehet ai.
Në të dy mjediset, disa punëtorë tashmë po i ndryshojnë oraret e tyre për të filluar më herët dhe për të përfunduar përpara se temperaturat të arrijnë kulmin në mesditë – diçka që Soomro parashikon se ka të ngjarë ta shohim më shumë në të ardhmen.
Roli i punëdhënësve
Punëdhënësit gjithashtu mund të prezantojnë masa të reja për punëtorët.
Soomro thotë se disa punëdhënës po kryejnë vlerësime periodike të rrezikut të nxehtësisë për të identifikuar disa nga grupet më të cenueshme ndaj temperaturave të larta, duke përfshirë fuqinë punëtore të plakur, gratë shtatzëna dhe punonjësit me aftësi të kufizuara. “Këtyre njerëzve më pas mund t’u jepen ndihma shtesë kur të kenë nevojë,” thotë ai. Eksperti i biznesit pret që më shumë punëdhënës të fillojnë t’i kryejnë këto kontrolle, ndërsa vapa ekstreme vazhdon.
Në mënyrë të ngjashme, Soomro parashikon se kompanitë do të zbatojnë gjithnjë e më shumë masa specifike që ndihmojnë në shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve për shkak të nxehtësisë. Këto mund të përfshijnë seminare trajnimi mbi menaxhimin e stresit të nxehtësisë ose plane fitnesi dhe ushqimi për të ndihmuar punëtorët të përshtaten me ndryshimin e klimës.
Investimi në infrastrukturë do të jetë gjithashtu kyç. “Kompanitë po investojnë në krijimin e mjediseve të punës rezistente ndaj nxehtësisë që përfshin infrastrukturë të qëndrueshme ndërtimi me sistem më të mirë të ajrit të kondicionuar,” thotë Soomro.
Ndryshimi i ditës së punës në përgjigje të ndryshimit të klimës është gjithashtu në të mirë të biznesit për udhëheqësit.
“Sikleti për shkak të teperaturave të larta ndikon negativisht në performancën dhe produktivitetin e punës”– thotë Soomro. Në mënyrë të ngjashme, kompanitë duan të shmangin sa më shumë që të jetë e mundur pasojat e kushteve shëndetësore të lidhura me nxehtësinë. “Për punonjësit, ata vuajnë nga të sëmurët, duke humbur ditët e punës dhe pagën dhe jeta e tyre familjare mund të ndikohet. Për punëdhënësit, ata vuajnë pasojat e trajtimit mjekësor, produktivitetit të humbur dhe mosmarrëveshjeve ligjore.”
Megjithëse barra është mbi disa kompani për të mbrojtur punëtorët, Abraham dhe Soomro bien dakord që legjislacioni duhet të luajë një rol të rëndësishëm dhe shpejt. Lajmi i mirë është se disa qeveri kanë nisur të zbatojnë ligje që kanë në fokus punën gjatë temperaturave në rritje. Pas prillit më të nxehtë të regjistruar në vend, Spanja njoftoi ligje të reja si për pronarët e bizneseve ashtu edhe për punëtorët. Krahas mbështetjes financiare për kompanitë e prekura nga thatësira, legjislacioni i ri thotë se kur kushtet atmosferike të arrijnë ngjyrën portokalli (rrezik domethënës) ose të kuqe (rrezik ekstrem), do të jetë e detyrueshme që punëdhënësit të përshtatin kushtet e punës, duke përfshirë uljen ose modifikimin e orëve të ditës së planifikuar për punë.
Pavarësisht urgjencës, disa kërkime tregojnë se megjithatë shumica e vendeve janë shumë të papërgatitura për t’u përgjigjur shpejt.
Një raport i korrikut 2023 nga Universiteti i Oksfordit theksoi një “rritje të paprecedentë të kërkesës për ftohëse”. Studimi i tyre tregoi se energjia e nevojshme për ftohje deri në vitin 2050 parashikohet të jetë e barabartë me kapacitetin e kombinuar të energjisë elektrike të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Japonisë në vitin 2016. Hulumtimi tregon gjithashtu se vendet e pamësuara me të nxehtin ekstrem, si Irlanda, Britania e Madhe dhe Finlanda, ishin më të papërgatiturit për ndryshimet klimatike.
Me motin që ndryshon dita-ditës, e ardhmja e punës është e pasigurt. Megjithatë, ekspertët thonë se ngrohja globale padyshim që do të lëkundë themelet e kushteve të punës të cilat njohim sot./ Burimi BBC– Përgatiti në shqip: Borisa Lala
Top Channel