Hetimet për fondet e BE-së në Shqipëri/ Raporti zbulon rastet edhe në vendet e Bashkimit Evropian

20/07/2023 11:27

Fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020 kanë shkaktuar tension dhe përplasje mes qeverisë dhe opozitës.

Opozita ka akuzuar qeverinë për abuzim me fondet e BE-së për mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve. Megjithëse qeveria, sqaroi më herët se IPARD II nuk është ndërprerë, përfaqësues të opozitës e kanë konsideruar rastin një tjetër skandal korrupsioni nga ana e mazhorancës.

Ministria e Bujqësisë ka hedhur poshtë hipotezat e heqjes së fondeve nga BE-ja, duke sqaruar se IPARD-i, programi për mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve nga shteti nuk është ndërprerë, ndërsa theksoi se po verifikohen disa shpenzime të dyshuara jo konform rregullave.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranon se kanë nisur hetimet, por i konsideron si procedurë normale, ndërsa kërkon që kjo çështje të mos përdoret politikisht.

Ndër vite hetimet janë një praktikë administrative e Bashkimit Evropian, e cila ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.

Sipas raportit të Komisionit Evropian për vlerësimin statistikor të parregullsive, në vitin 2020, u raportuan pesë raste me një shumë të përbashkët prej rreth 67 milionë eurosh.

Në vitin 2019, ka pasur tre raste me një shumë totale prej 70 milionë eurosh.

Sipas raportit, hetimet e OLAF kanë gjetur probleme tek Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Holanda apo Belgjika dhe secila prej tyre janë detyruar të rimbursojnë para nga fondet europiane.

Sipas raportit, kjo nuk do të thotë që në këto vende ka korrupsion, por do të thotë që kudo, si në Gjermani apo Shqipëri, ka vend për përmirësim.

“Në këtë drejtim, hetimi i OLAF është jo vetëm i mirëpritur, por i domosdoshëm për t’u përmirësuar dhe vijuar mbështetjen e fermerit.”

Për vitin 2020, Çekia, Qiproja, Luksemburgu dhe Malta nuk kanë komunikuar asnjë rast mashtrimi që tejkalon 10 000 euro.

Nga ana tjetër sipas raportit të KR, Bullgaria, Qiproja dhe Luksemburgu nuk raportuan raste parregullsie që kalonin shumën 10 000 për vitin 2020.

Pra në 2020, OLAF ka vijuar të gjejë parregullsi tek të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Gjermanisë, Francës dhe Holandës.

Sipas raportit, gjatë periudhës 2016-2020, FDR (Shkalla e zbulimit të mashtrimit) kaloi 0.40% në Bullgari, Estoni dhe

Rumania. Për zhvillimin rural,

Estonia, Rumania, Danimarka dhe Bullgaria shënuan FDR-të më të larta, ndërsa Bullgaria dhe Portugalia shënoi IDR-të (Shkalla e zbulimit të parregullsive) më të larta. Për masat e tregut, FDR ishte më i larti në Poloni dhe Bullgaria, por edhe dukshëm më i lartë se mesatarja e BE-së në Çeki. IDR ishte më i larti në Poloni, Rumani dhe Maltë, por ishte gjithashtu më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së edhe në Hungari.

Për ndihmën direkte, Italia dhe Rumania regjistruan si FDR-të më të larta ashtu edhe IDR-të (Shkalla e zbulimit të parregullsive) më të larta.

Kujtojmë se programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75%.

Programi Ipard II ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.

Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asete fizike në fermat bujqësore, për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.

Raporti i plotë  i Komisionit Evropian për Vlerësimin Statistikor të Parregullsive 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA