1200 bimë kanabisi u asgjesuan nga policia këtë të mërkurë në zonën e Malësisë së Krujës.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrolleve të ushtruara nga uniformat blu në kuadër të operacionit “Territor i pastër”, ndërsa u arrestua dhe një person. Në aksion u angazhuan 10 grupe kontrolli me 80 forca policore si dhe u përdorën 7 dronë.
“Kam përmbyllur fazën e 29 të megaoperacionit territorit të pastër. Janë asgjesuar 1200 bimë dhe është arrestuar një person. Po vijojmë hetimet. Policia e Krujës ka të gjitha kapacitetet për të garantuar rend e siguri”- tha Shefi i komisariatit të Policisë Krujë, Kreshnik Alimadhi.
Deri më tani janë asgjësuar me anë të djegies në zonën e Krujës mbi 16 mijë bimë kanabis të mbjella. Ndërkohë shumë bimë lëndësh narkotike janë shkatërruar edhe në zonën e Apleve në Shkodër si dhe në qarkun Lezhë. Për të gjitha rastet policia në bashkëpunim me prokurorinë po vijojnë hetimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Top Channel