Një 53-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Portit të Durrësit, pasi tentoi të fuste në vend 44 mijë euro të fshehura në furgonin e tij.
Nuri Alushi është i arrestuari gjatë operacionit policor të koduar “Destinacioni”. Shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip furgon të linjës Vlorë-Itali, që drejtohej nga 53-vjeçari, si dhe sasi të konsiderueshme pesticidesh, medikamente mjekësore dhe pije.
Autori akuzohet për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.
Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”, sekuestrohen 44 000 euro të padeklaruara në doganë dhe mallra të kontrabanduara. Operacioni, falë inteligjencës policore se me një furgon po trasportohej një shumë e konsiderueshme eurosh, me qëllim shmangien e deklarimit në doganë. Tentoi të fuste në vendin tonë, 44 000 euro që i kishte fshehur në furgonin e tij, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, si dhe mallra të tjera (medikamente, pesticide dhe pije), arrestohet në flagrancë 53-vjeçari. Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë intensifikuar kontrollet, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara për parandalimin e futjes së sasive të konsideruehsme të parave të padeklaruara, që dyshohet se janë të përfituara nga veprimtraria kriminale. Bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Destinacioni”.
Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip furgon të linjës Vlorë-Itali, që drejtohej nga shtetasi N. A. Gjatë kontrollit të ushtruar në furgon, në pjesën e tapicerisë, shërbimet e Policisë, duke përdorur metodat bashkëkohore të kontrollit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 44 000 euro, sasi e konsiderueshme pesticidesh, medikamente mjekësore dhe pije, të cilat shtetasi N. A. tentoi t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi N. A., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”. Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel