Nxehtësia ekstreme po rrit tensionet në sistemet e kujdesit shëndetësor, duke goditur më së shumti ata që janë më pak të aftë për ta përballuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se nxehtësia po ndikon në përkeqësimin e shëndetit, kryesisht të personave me sëmundje, përfshirë fëmijët dhe të pastrehët.
“Nxehtësia ekstreme shkakton dëmin më të madh për ata që janë më pak të aftë për të menaxhuar pasojat e saj, siç janë të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët, të varfrit dhe të pastrehët. Kjo gjithashtu ushtron presion në rritje në sistemet shëndetësore”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus-Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së shtoi se organizata po punon me Organizatën Botërore Meteorologjike dhe agjencinë e OKB-së për të mbështetur vendet që po vuajnë ose presin një valë të të nxehtit ekstrem.
Evropa mbetet kontinenti më i goditur nga valët e temperaturave tejet të larta, i cili tashmë është nën alarmin e kuq.
Qendra e koordinimit të reagimit ndaj emergjencave të BE-së lëshoi alarme të kuqe për temperatura të larta për pjesën më të madhe të Italisë, Spanjën verilindore, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën jugore dhe Malin e Zi.
Një pjesë e vendeve kanë ndaluar hyrjen në rezervatet natyrore dhe pyjet për të zvogëluar rrezikun e zjarreve, ndërsa bashkitë kanë hapur zona me ajër të kondicionuar në ndërtesat publike për njerëzit që të strehohen nga nxehtësia.
Lexo edhe: Evropa po digjet! Disa shtete shpallin alarmin e kuq, po Shqipëria? Flasin ekspertët
Top Channel