Rusia u tërhoq sërish nga marrëveshja e grurit me Ukrainën duke sjellë edhe njëherë frikën e sigurisë ushqimore. Çmimi në bursa u ngrit menjëherë me 6% dhe nëse bllokada vazhdon çmimet mund të shkojnë edhe më lart.
Shqipëria këtë vit ka një prodhim të mbare gruri, por çmimi i shitjes së saj lë për të dëshiruar në këtë periudhë. Fermerët vazhdojnë t’i kenë magazinat plot me grurë, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për situatën.
“Nuk e mbaj mend ndonjëherë këtë situatë kaq të komplikuar. Kemi pasur vështirësi me kanalet, me përmbytjet me farat e këqija, por që të mos shesim prodhimin dhe bereqetin, kjo nuk ka ndodhur. I bëjmë kërkesë imediate dhe urgjente fabrikave të miellit që të hapin dyert, sepse mundësia për magazinim nga ana e tyre është dhe ka probleme me pjesën e ccmimit. Unë di që në doganat e vendit, një ton grurë mbërrin me 480 – 490 dollarë për ton, ndërsa këtu ka dalë çmimi 250 – 280 mijë lekë të vjetra. Maksimumi që ne mund ta mbajmë këtu është 1 shtator”- tha fermeri Franc Kaloshi.
“Siç e shihni është gruri këtu i korrur prej një muaji. Çmimi është shumë i ulët dhe fabrikat janë të bllokuara. Ky është krim, ne jo vetëm që nuk marrim ndihmë, por dhe këtë që kemi mbjellur me forcat tona, me shumë vështirësi, vjen dita që na ka ngelur këtu dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë”- tha një tjetër fermer.
Por, tashmë me dy vendet më të mëdha eksportuese në botë, Rusia dhe Ukraina në një mosmarrëveshje, gruri shqiptar merr vlerë të jashtëzakonshme. Bllokimi i porteve të grurit vitin e kaluar sollën çmime rekord deri në 1000 dollarë për tonin e grurit, ndërsa ekzistonte edhe frika për mosgjetjen e sasisë së kërkuar. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, në vend janë importuar 4.51 mld lekë, gati 24% më pak se vitin e kaluar. Vendet kryesore nga ku eksportuam mbeten Serbia, Rusia dhe Ukraina, nga të cilat vendi ynë ka marrë grurë, gati 3.1 miliardë lekë, ndërsa pjesë e rëndësishme janë dhe vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Top Channel