Me 9 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim, Komisioni për Median dhe Edukimin ka miratuar projekt/ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, duke i detyruar këta të fundit të punojnë 5 vite në Shqipëri, para se t’iu jepet diploma.
Të vendosur në rolin e avokatëve përballë deputetëve, studentët kundërshtuan hapur miratimin e projektligjit që bllokon diplomat, duke renditur nene të kushtetutës dhe argumentuar se ky projektligj shkel liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata e cilësuan këtë metodikë të qeverisë diktatoriale, e cila sipas tyre e ka kthyer sistemin shëndetësor në një burg.
“Janë specialist ata që e kanë hartuar ligjin? Nëse hartuesit e projekt/ligjit, me materialet që na sollën në fillim hasën në kundërshtime, po të ishin aq specialist minimalisht do të kishin sjellë transparencë në dokumenta. Do të kishin sjellë fakte ku bazoheshin për këto kosto, për këto tarifa, që kanë shkelur. Ne këtu sot, përmes kolegut, treguam nen për nen se ku shkelen të drejtat tona, ku është në shkelje ky projekt/ligj. Po të ishin kaq specialist hartuesit e projekt/ligjit, më besoni se ne nuk do të kishim dalë me 4 fleta të hartuara me aq nene që tregojnë se sa diskriminues dhe antikushtetues është vendimi. Është një politikë afatshkurtër dhe eksperimentale ku na trajtojnë kështu jo vetëm ne si mjek, që pas 4 vitesh do të jemi të diplomuar me diploma peng, por trajton si kavie edhe pacientët shqiptarë. Vetë shqiptarët që do t’i drejtohen sistemit mjekësor”- tha një prej përfaqësueseve të studentëve të Mjekësisë në Komisionin e Edukimit.
Megjithëse të vetëdijshëm që projekt/ligji do të kalojë për çështje politike edhe në Parlament, studentët të dëshpëruar, apeluan edhe njëherë të fundit për reflektim nga ana e deputetëve, duke iu kërkuar përfaqësuesve të popullit që të mos e përdornin votën kundër tyre.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit të Edukimit, Flutura Açka, e vetëdijshme se në parlament ligjin e bëjnë numrat, e pranoi se opozita në këtë proces ka rolin e spektatorit dhe se ligji për studentët e Mjekësisë do të miratohet. Sipas Açkës, ligji që detyron studentët të punojnë deri në 5 vite në vend, dhe më pas të pajisjen me diplomë, do të jetë vetëm për oligarkët.
“Po bëjmë një ligj për oligarkët. Do të kalojë ky ligj. Unë këtu jam spektatore dhe ju kërkoj ndjesë. Jam spektatore dhe më vjen shumë keq. Ambalazhi është aq i bukur, sa të bie të fikët nga bukuria, por ajo që është pas nuk është dhe aq” –tha Açka.
Thënë kjo, studentët e Fakultetit të Mjekësisë tashmë do të vendosen përballë dy zgjedhjeve, ose të lidhin kontratë me shtetin për të dhënë kontributin në vendin e tyre ose të paguajnë deri në 14 fishin e tarifës aktuale si tarifë për studimet.
Pas konsultimit brenda tre javëve në komisionet parlamentare të Edukimit dhe të Ligjeve, pritet që në seancën e 20 korrikut, të fundit për këtë legjislaturë, të miratohet ligji për studentët e mjekësisë që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri deri në 5 vite pas diplomimit. Ky është kusht i detyrueshëm për studentët që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë vitin e ri akademik, ndërsa për studentet e viteve të dyta deri në të gjashta, detyrimi për të punuar është deri në 3 vite, ose mund të zgjedhin të paguajnë tarifën e studimit 13-14 herë më shumë nëse kundërshtojnë mbajtjen e diplomës pas përfundimit të shkollimit.
Top Channel