Escobar, ‘llogari’ për Kosovën para Kongresit amerikan: Del dokumenti i fshehtë!

18/07/2023 09:17

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, del sot përpara Kongresit amerikan për t`i raportuar ligjvënësve amerikanë mbi zhvillimet e deritanishme lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Sipas një dokumenti të parë nga mediat,  raportimi i zyrtarit të lartë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, do të fokusohet kryesisht tek nevoja e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe detyrimin e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Escobar insiston se do asociacioni do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare. “Politika jonë në Ballkanin Perëndimor bazohet në një parim të thjeshtë: integrimin e vazhdueshëm të rajonit në strukturat euroatlantike.

Ky integrim forcon Evropën si një partner gjeostrategjik; forcon qeverisjen demokratike dhe shtetin e së drejtës; dhe i bën vendet e Ballkanit Perëndimor më të sigurt dhe më të begatë dhe në këtë mënyrë rajonin partnerë më të mirë të sigurisë dhe tregtisë për Shtetet e Bashkuara.

Ne e kuptojmë se pengesat ndaj këtij procesi janë të vështira, duke përfshirë përparimin e ngecur në demokratizimin, korrupsionin, varësinë nga energjia ruse, politikat etnonacionaliste, ndikimin e dëmshëm të huaj dhe dezinformimin. Megjithatë, ato nuk janë të pakapërcyeshme; Ballkani Perëndimor duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u kualifikuar për anëtarësim”, thuhet në dokument.

Top Channel