Hetimet për identifikimin e ndotësit të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës kanë ngecur, ndërsa analizat e kryera në një laborator të specializuar privat kanë përcaktuar llojin e ndotjes.
Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga ndotja mjedisore që shkaktoi probleme dhe ndëpreu për disa ditë funksionimin e impiantit duke bërë shkarkimin e ujërave të ndotura në det, ndotja vazhdon të mbahet e depozituar në një autobot privat, ndërsa shoqëria e ujësjellës kanalizimeve nuk është vënë në dijeni ende mbi llojin e ndotjes dhe zhvillimet e hetimit.
Burime nga prokuroria bënë të ditur se së fundmi ka ardhur përgjigjia e analizave që përcakton se ndotja është shkaktuar nga mbeturina të vajrave të përdorur që konsiderohen mbetje tejet të rrëzikshme për ekosistemet. Këto mbetje kanë pasoja të rënda në tokë dhe ujë, ndërsa mirëmenaxhimi i vajrave të përdorura dhe mbetjeve me vajra mbetet një problematikë e mprehtë mjedisore.
Hetimet për zbardhjen e origjinës së ndotjes mjedisore që u shkaktua nga këto mbetje në Durrës nuk kanë sjellë zhvillime të reja përveç faktit që Prokuroria e Durrësit kërkoi dhe mundësoi riekspertim të ndotjes që dëmtoi impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të Vrrinës për të zbardhur krimin mjedisor të shkaktuar në këtë sezon turistik.
Burime nga ujësjellës-kanalizimet Durrës bënë me dije paraditen e sotme se impianti mban ende të bllokuar në autobot ndotjen pa mundur ta shkatërrojë atë në funksion të hetimit, pasi nuk kanë marrë ende përgjigje për llojin e saj dhe ç’duhet bërë me të. Kjo shton kostot e shoqërisë.
Një muaj pas ndotjes masive mjedisore që iu shkaktua impiantit dhe ekomjedisit në Durrës zbulimi i subjektit, që derdhi në kanalet e plazhit këto mbetje vajrash të djegura që përfunduan në impiant, bëhet gjithnjë e më i vështirë. Ndotja u konstatua mëngjesin e 14 qershorit dhe shkaktoi pasoja të rënda në impiant dhe mjedis, ndërsa fatura e dëmeve të shkaktuara prej saj nuk është bërë e ditur ende.
Top Channel