Më pak nxënës në klasa/ Urdhri i Ministrisë së Arsimit për gjimnazet, nga 35 bëhen 30

17/07/2023 09:33

Viti i ri shkollor do të nis më 11 shtator me ndryshime.

Veç mundësisë së regjistrimit të fëmijëve në klasë të parë që në moshën 5-vjeçare, me kushtin që deri në 31 dhjetor të po atij viti kalendarik të mbushin 6 vjeç,  Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin e ri ku ul numrin e nxënësve për klasë në gjimnaze, në 30 nga 35 që ka qenë në të shkuarën, duke e njëtrajtësuar këtë standard për të gjithë arsimin parauniversitar; pasi një vit më parë ky vendim përfshiu vetëm shkollat 9-vjeçare.

Ministria e Arsimit thotë se qëllimi i kësaj vendimmarrje lidhet me rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kushteve si për nxënësit dhe mësuesit, mirëpo kjo nuk është e vërteta e plotë, pasi emigracioni dhe rënia e lindshmërisë kanë ndikuar në rënien e numrit të nxënësve, e për të parandaluar mbylljen e shkollave, po krijohen politika të reja.

Në të njëjtën kohë me uljen e numrit të nxënësve në klasat e institucioneve arsimore të përgjithshme, Ministria e Arsimit ka ulur edhe numrin e nxënësve në klasat e bashkuara, nga 25 shkon në 20 për të krijuar dy klasa. Në udhëzim përcaktohet ndër të tjera edhe që shkollat me mbi 800 nxënës të kenë tre nëndrejtorë, ndërkohë që më parë numri i lejuar ka qenë mbi 900; kjo me synimin që te ketë një menaxhim më cilësor të procesit mësimor e vëmendje të shtuar ndaj nxënësve.

Edhe shkollat e arsimit special do të kenë për herë të parë një nëndrejtor, pavarësisht sa është numri I nxënësve me aftësi ndryshe; kur shkolla i kalon mbi 130 nxënës, atëherë emërohen dy nëndrejtor në këtë institucion arsimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA