Kurti zgjodhi Greqinë/ Reagon AAK: Logjikë e mbrapshtë dhe inatçore e kryeministrit

17/07/2023 14:22

Logjikë e mbrapshtë dhe inatçore është quajtur vendimi i Kurtit për të mos marrë pjesë në takimin e sotëm në Tiranë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mos vajtja e kryeministrit të Kosovës tregon logjikën e mbrapshtë, logjikën inatçore, logjikën autoritare të një njeriu që e udhëheqë Kosovën.. jemi përjashtuar nga programi evropian, jemi përjashtuar nga Defender, tash vetëpërjashtohemi nga ky takim. Kjo është logjikë inatçore dhe është jo shtet formuese”, shprehet Besnik Tahiri, deputet i AAK-së.

Opozita e ka quajtur fëmijëror refuzimin e Kurtit për të iu bashkuar liderëve të Ballkanit dhe Komisionit Evropian.

“Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku.

Asnjë përfaqësues i Qeverisë së Kosovës nuk do marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ku pjesëmarrës është edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhely.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti ndodhet në Greqi, e zëvendësi i tij, Besnik Bislimi nuk shkon.

Përparim Kryeziu, Zëdhënësi i Qeverisë së udhëhequr nga Kurti thotë se pjesëmarrja në konferencën në Greqi është konfirmuar muaj më parë, derisa shton se Kurti më 16 tetor do jetë në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ndërkohë, nga zyra për media e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi thonë që udhëtimi për në Tiranë nuk ishte planifikuar fare e nuk bëhet fjalë për refuzim të pjesëmarrjes nga autoritetet shqiptare.

Takimi i së hënës në Tiranë është joformal me Komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian Oliver Varhely ku marrin pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit, e vetëm kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk merr pjesë.

Ndërkohë është e treta herë kjo që Kurti e Rama nuk takohen, fillimisht në qershor kur Rama anuloi mbledhjen e dy qeverive dhe pastaj në korrik, kur Kurti nuk e priti Ramën gjatë vizitës në Prishtinë.

Top Channel