Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti është parë në afërsi të dronëve, bashkë me ministrin e Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari.
“Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare”, ka thënë Kurti, duke i përgëzuar pjesëtarët e FSK-së që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.
Kurti nuk ka bërë të ditur sa dronë janë blerë dhe as buxhetin e ndarë për ta. Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014.
Dronët e tillë, të llojit TB-2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB-2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.
Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri. Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.
Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.
Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë./ REL
Top Channel