Anketa e forcës së punës për vitin 2022 vijon të tregojë se në vendin tonë peshën kryesore e mbajnë të vetëpunësuarit dhe bizneset familjare.
Nga totali, këta përbëjnë 53% të gjithë të punësuarve, ndërsa pjesa tjetër janë me pagë. Numri vjen me rritje nga një vit më parë, ku bizneset familjare janë ata që janë shtuar edhe më shumë. Rrjedhimisht edhe numri I punonjësve pa pagesë në biznes familjar është rritur.
Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 44,2 % dhe 33,9 % të të punësuarve gjithsej.
Sa i përket pagave, në hendekun gjinor meshkujt paguhen mesatarisht 6.2% më shumë se femrat. Ndërkohë gati 27% e të punësuarve me pagë marrin rrogë minimale, ku vitin e kaluar ishte 34 mijë lekë. Papunësia u ul gjatë vitit të kaluar duke shënuar nivelin 10.9%. Por, ndërkohë INSTAT thotë se tek të papunët janë shtuar ata afatgjatë duke përbërë 67% të papunëve gjithsej.
Ndërkohë, një tjetër statistikë shqetësuese janë të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional dhe përbëjnë 25,2 % të të rinjve gjithsej.
Shqipëria ndërkohë vijon të ketë një nga popullsitë që punon më shumë në Europë, pasi statistikat tregojnë se 57.8% e tyre punojnë nga 40 – 48 orë në javë dhe 20.3% mbi 49 orë në javë.
Më shumë orë në javë punojnë ata që janë pjesë e tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbime biznesi dhe administrative. Por, Banka Botërore shprehet se produktiviteti I fuqisë punëtore ka rënë duke na vendosur ndër të fundit në rajon. Edhe pse pagat janë rritur kjo nuk ka ndikuar te ky indikator I rëndësishëm.
Top Channel