Në një intervistë ekskluzive, yjet e “Në kuadër të dashurisë”, kanë zbuluar disa të pathëna rreth rolit të tyre në filmin që bën bujën e momentit, por jo vetëm.

Flasin Luiz Ejlli, Sara Hoxha, Ndriçim Xhepa, Besmir Bitraku dhe Roerd Toçe…

Luiz Ejlli: “Personazhi në film ka të bëjë me një pjesë të jetës sime shumë të rëndësishme që e kam përjetuar vetë. Ndoshta kjo është arsyeja që e kam gjetur veten në atë rol. Më pëlqen shumë sepse shoh veten ku jam sot dhe rikthehem tek Besi që kam rolin në film. Më bën të ndihem mirë dhe më bën të ndihem vetvetja pa sforco. Më ka pëlqyer që në momentin e parë që kam lexuar skenarin dhe besoj se ia kam arritur sadopak duke marrë parasysh edhe mbështetjen që kam pasur të të gjithë stafit, aktorëve, etj.”

Sara Hoxha: “Unë në këtë film vij si një vajzë e re që quhet Aria. Jam motra e Jonidës, që e luan Olta Gixhari dhe vajza e Zamira Kitës dhe Ndriçim Xhepës.”

Ndriçim Xhepa: “Personazhi me të cilin jam pjesë e këtij produksioni, është një personazh i veçantë. Kam përshtypjen që është hera e parë që jam në pozicionin e një babai. Është babai i personazhit kryesor të vajzës, të çiftit që përbën subjektin kryesor të filmit. Është një personazh interesant, i veçantë, i cili kalon nëpër disa situate të çuditshme, edhe të këndshme por edhe të sikletshme. Por që tek e fundit është personazh që përbën thelbin e zhvillimit të ngjarjes së gjithë kësaj komedie romantike, me skenarin dhe regjinë e Koloreto Cukalit dhe nën kamerën e drejtorit të fotografisë, Rezit, kam përshtypjen që ky binom do të jetë një binom regjisor-operator-drejtor fotografie shumë interesant që do t’i japin atë këndshmërinë kësaj komedie romantike. Rethanat e reja që vendosem unë si aktor në këtë lloj situate dhe ngjarje që proçedon personazhi im, kam përshtypjen që e vendos në një lloj elementi të këndshëm nga ana interpretative dhe tek unë si aktor, me 40 vjet prezencë në ekran. Dhe kjo më bën të veçantë. Besoj se edhe mënyrën se si është vendosur personazhi, do të krijojë atë humorin specifik, humor që besoj se do t’i japi vlerë tërë komedisë.”

Besmir Bitraku: “Unë luaj Vanin, është një djalë korçar, nga fshatrat e Korçës në fakt, biznesmen dhe është kandidat potencial për t’u martuar me Arian. Do të doja që të vij si një karakter që përfaqëson këtë shtresën e njerëzve që mendojnë se mund ta fitojnë dashurinë me lek.”

Roerd Toçe: “Roerdi vjen në rolin e Klejdit. Klejdi është një djalosh i ri, një dizajner, i cili ka shoqëruar dikë në aeroport dhe po pret diçka që një forcë më e madhe ia sjell atij. Personazhi është disi bohem, disi nostalgjik, disi melankolik, që dashurohet shumë shpejt dhe në kohën e duhur e në momentin e duhur i vjen diçka, një atraksion, një pëlqim për personazhin e Arias. Dhe rastësisht fillon një gonxhe e re, një zanafillë e një dashurie të bukur apo të pazbuluar akoma deri në fund të filmit.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA