Ka nisur në gjykatën e Durrësit seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj administratorit të plazhit në Vilë Bashtovë, Pëllumb Nika, ku u mbytën 3 pjesëtarë të familjes Halilaj në fundjavë.
Para togave të zeza Nika tha se në plazh ishte vendosur një flamur i kuq, ndërsa bovat e thellësisë në ujë i përcakton bashkia e Rrogozhinës.
Ai tha se ka rrezikuar jetën e tij kur tentoi t’i shpëtonte, ndërsa zona ku ndodhi tragjedia ishte nën administrim nga bashkia.
“Bovat nuk i vendosim ne, por e cakton bashkia Rrogozhinë hapësirën ujore që i përket ccdo plazhi dhe thellësinë ku të vendosen. Unë rrezikova jetën time dhe e kisha një flamur të kuq, po edhe 10 vrojtues të ishin nuk do bënin dot gjë. Nga ana njerëzore, kur pashë që nuk po futej njeri, ma dha Zoti dhe u futa me kajak. Po u fundosa. Zonën ku vdiq i ndjeri dhe fëmijët e ka nën administrim bashkia. S’do të doja kurrë të ndodhte një gjë e tillë”-tha ai para gjykatës.
Mbrojtja tha se klienti i saj është i trajnuar dhe pse jo si vrojtues plazhi, po si punonjës sigurie dhe fatkeqësia nuk ka ndodhur në hapësirën detare përballë plazhit të tij. Sipas mbrojtjes, Nika ka bërë një akt heroik duke rrezikuar jetën kur nuk futej askush për ndihmë në një det me dallgë, ndërsa i kishte marrë masat paraprake në plazhin e tij. Kërkoi vleftësimin e paligjshëm të arrestit në plazh dhe caktimin e masës “detyrim paraqitjeje”.
Ndërsa prokuroria kërkoi vleftësimin e ligjshëm dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Seanca, me kërkesë të mbrojtjes dhe të arrestuarit po zhvillohet pa praninë e kamerave. Prokuroria ka ngritur ndaj të arrestuarit Pëllumb Nika akuzat “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Shpërdorim detyre”, pasi sipas akuzës me lidhjen e kontratës për të ofruar shërbime në plazh subjekti merr një funksion publik. Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij ishin vendosur në një nga çadrat e plazhit privat Dream Beach ku u gjetën dhe sendet personale të viktimave. Mbrojtja e të arrestuarit teksa shprehu keqardhje dhe ngushëllime për familjen e viktimave ngriti pretendime për kryerjen e veprimeve proceduriale nga policia dhe akuza nën efektin emocional të ngjarjes dhe pasojave të saj.
Top Channel