Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në Kuvendin e Kosovës ku u sulmua kryeministri Albin Kurti.
Rama e quajti njollë ndaj vetes sulmin ndaj Kurtit dhe kundërshtinë ndaj tij, nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa e cilësoi turp këtë që i bënë Kosovës edhe ndërkombëtarisht.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit”, shkruan Rama në një postim në Twitter.
Sipas kryeministrit në Parlament duhet të luftohet me ide dhe fjalë dhe jo duke përdorur dhunën. Ai tha se uron që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme.
“Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, tha Rama.
Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton… pic.twitter.com/w0Sbu3btQJ
— Edi Rama (@ediramaal) July 13, 2023
Deputetët e PDK kanë sulmuar fizikisht edhe pjesëtarë tjerë të qeverisë. Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.
Më pas, situata u agravua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radoiiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa dite para se të formohej qeveria e tij.
Top Channel