Rama: E di sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë, e turpshme çfarë ndodhi sot

13/07/2023 16:00

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për incidentin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët goditën njëri-tjetrin.

Duke iu përgjigjur “miqve nga Kosova” që thonë se dhunën e nisi Lëvizja Vetëvendosje, ai shkruan në rrjetin social “Twitter” se “nuk ka rëndësi kush e ka gjuajtur shishen e parë.

Më tej, kryeministri shprehet se e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova para botës demokratike, për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj dhe shton se dhuna e sotme e dëmton më tej reputacionin e vendit.

Edi Rama: Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme. Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!

reagimin e mëparshëm, Rama e quajti njollë ndaj vetes sulmin ndaj Kurtit dhe kundërshtinë ndaj tij, nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa e cilësoi turp këtë që i bënë Kosovës edhe ndërkombëtarisht. Sipas kryeministrit, në Parlament duhet të luftohet me ide dhe fjalë dhe jo duke përdorur dhunën dhe uroi që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit.

Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”.

Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës këtë të enjte në Kuvend, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.

Më pas, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazh të Kurtit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Situata u agravua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Para se të sulmohej, Kurti në Kuvend foli për Radojçiçin dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa dite para se të formohej qeveria e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA