“Vilnius”/ NATO, 300 mijë trupa në gatishmëri të lartë dhe paketë të fortë për Ukrainën! Plan mbrojtje kundër Rusisë dhe terrorizmit

11/07/2023 19:47

Aleatët e NATO-s, në sesionin e tyre të parë të punës në Samitin e Vilniusit, morën vendimin për ta afruar Ukrainën me aleancën ushtarake dhe përforcuar parandalimin dhe mbrojtjen kolektive të NATO-s.

Ata ranë dakord për një paketë prej tre elementësh që e afrojnë Ukrainën me NATO-n. Kjo përfshin një program të ri ndihme shumëvjeçare për të lehtësuar kalimin e forcave të armatosura ukrainase nga standardet e epokës sovjetike në standardet e NATO-s dhe për të ndihmuar në rindërtimin e sektorit të sigurisë dhe mbrojtjes së Ukrainës, duke mbuluar nevojat kritike si karburanti, pajisjet e çminimit dhe furnizimet mjekësore.

Aleatët ranë gjithashtu dakord të krijojnë Këshillin e ri NATO-Ukrainë, i cili do të mbajë takimin e tij inaugurues në Vilnius të mërkurën me pjesëmarrjen e Presidentit Zelensky. Aleatët ripohuan gjithashtu se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s dhe ranë dakord të heqin kërkesën për një Plan Veprimi Anëtarësimi. “Kjo është një paketë e fortë për Ukrainën dhe një rrugë e qartë drejt anëtarësimit të saj në NATO”- tha Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Aleatët miratuan “planet më gjithëpërfshirëse të mbrojtjes që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, tha Stoltenberg. Të projektuara për të kundërshtuar dy kërcënimet kryesore të Aleancës – Rusinë dhe terrorizmin – planet e reja rajonale parashikojnë 300,000 trupa në gatishmëri të lartë, duke përfshirë fuqi të konsiderueshme luftarake ajrore dhe detare. Aleatët miratuan gjithashtu një plan të ri veprimi për prodhimin e mbrojtjes për të përshpejtuar prokurimin e përbashkët, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë e aleatëve.

Për të përmbushur nevojat e tyre të mbrojtjes, aleatët ndërmorën një angazhim të qëndrueshëm për të investuar një minimum prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në mbrojtje. Aleatët evropianë dhe Kanadaja shënuan një rritje reale prej 8.3% në buxhetet e tyre të mbrojtjes në vitin 2023, rritja më e madhe në dekada. Njëmbëdhjetë aleatë plotësojnë ose tejkalojnë standardin këtë vit dhe ky numër pritet të rritet ndjeshëm në vitin 2024.

Aleatët diskutuan gjithashtu sfidat që një Kinë “shtrënguese” paraqet për sigurinë dhe vlerat euro-atlantike. “Kina nuk është kundërshtari ynë dhe ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi“- tha Stoltenberg, ndërsa theksoi se “vendosmëria në rritje e Pekinit ndikon në sigurinë tonë” dhe sfidon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Të mërkurën, aleatët do të takohen me liderët e Australisë, Japonisë, Zelandës së Re dhe Koresë së Jugut, si dhe me Bashkimin Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA