Samiti i NATO-s, Shtëpia e Bardhë: Do i hapim rrugën Ukrainës/ Nuk përmendet Kosova!

11/07/2023 08:08

Krerët e NATO-s mblidhen sot dhe nesër për një samit të shumëmediatizuar në Vilnius të Lituanisë, i cili mbahet në një kohë kritike për sigurinë në Europë.

Samiti vjen kur lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit dhe një vit pas takimit të Madridit, ku anëtarët e aleancës u pajtuan me konceptin e ri strategjik që e veçonte Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë. Një prej temave dominuese në axhendën e samitit pritet të jenë përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim, të cilat e kanë marrë ndërkohë një mbështetje të fortë nga Shtëpia e Bardhë.

Këshilltari i saj i Sigurisë, Jake Sullivan pohoi se NATO do të përcaktojë një rrugë reformash për Ukrainën në mënyrë që ajo të mund t’i bashkohet aleancës, por nuk dha afate kohore.

“Aleatët do të pajtohen me një paketë të re ndihme për Ukrainën, do të shohin nevojat afatgjata të saj dhe do të zgjerojnë planet për paprekshmërinë e Ukrainës. Ata do të diskutojnë rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit të ardhshëm në NATO. Siç e vuri në dukje presidenti Biden, hyrja e Ukrainës tani në aleancë do të sillte një luftë mes NATO-s e Rusisë. Por nga ky samit do të përcillet një  sinjal bashkimi dhe pozitiviteti në rrugën e këtij vendi drejt anëtarësimit të ardhshëm në aleancë.”

Në fakt, gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë. Përderisa Ukraina do të jetë në krye të agjendës së samitit, për Kosovën nuk pritet të diskutohet, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Është interesante se në kohën e trazirave të fundit në pjesën veriore të Kosovës, në të cilat u sulmuan trupat e misionit të NATO-s atje- KFOR, ajo nuk është zyrtarisht në agjendë. Prania e KFOR-it tani është rritur me 500 trupa, duke e çuar numrin e përgjithshëm të paqeruajtësve në 4.300 – por, nuk priten diskutime për këtë çështje në samit, nëse një nga liderët nuk e ngre atë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA