Deputetja e Partisë demokratike, Jorida Tabaku i bëri thirrje ish-ministrit Arben Ahmetaj që të bashkëpunojë me Prokurorinë e SPAK.
Në një deklaratë për mediat pas kërkesës së SPAK që i kërkon Kuvendit autorizimin për arrestimin e Arben Ahmetajt, Tabaku tha se aferës së inceneratorëve duhet t’i shkohet deri në fund.
“Kam një thirrje për Ahmetajn, thirrja imë është bashkëpunoni me drejtësinë, SPAK, shqiptarët kanë nevojë që ti shkohet kësaj afere deri në fund”, tha Tabaku.
“Sot paratë janë duke u paguar për Tiranën, në këto kushte besoj se këto duhet ti kalojnë në pronësi bashkive dhe duhet të marrin në administrim këto djegës për të parë se si mund të vendosen në dispozicion. Është për Tiranën, s’ka incenerator, vetëm landfill, të ndërpriten pagesat menjëherë”, shtoi Tabaku.
Sot mblidhet Këshilli i Mandateve, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi Kuvendit një ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Mbledhja nis në orën 16:00, ku do të diskutohet mbi heqjen e mandatit të deputetit, Ahmetaj.
Top Channel