Qeveria e Sudanit ka refuzuar që të marrë pjesë në takimin rajonal që synon zgjidhjen e krizës në shtetin e përfshirë nga konflikti, duke akuzuar Kenian – që udhëheq bisedimet – se po favorizon forcat rivale.
Afër 3.000 persona janë vrarë që nga mesi i prillit kur nisën luftime mes forcave të dy gjeneralëve rivalë në Sudan, ndërkaq pothuajse 3 milionë persona janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Blloku i shteteve lindore afrikane ftoi shefin e ushtrisë së Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan, dhe Mohamed Hamad Dagalo, që udhëheq Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë, që të takohen në kryeqytetin e Etiopisë më 10 korrik.
Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në bisedime edhe pse Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dërguan përfaqësues në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësuesit e Kenias, Sudanit Jugor, Xhibutit dhe Etiopisë.
Ministria e Jashtme e Sudanit tha se delegacioni i këtij shteti nuk do të marrë pjesë në këtë takim derisa të plotësohet kërkesa që Kenia të mos i udhëheqë bisedime.
Ministria sudaneze ka kërkuar “që presidenti i Kenias, William Ruto, të zëvendësohet… veçanërisht për shkak të anësisë së tij”, u tha në deklaratë.
Sudani më herët kishte akuzuar Nairobin se ka mbështetur Forcat paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë duke “strehuar njerëzit e saj dhe duke i ofruar forma të ndryshme të mbështetjes”. /REL
Top Channel