Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg iu përgjigj pozitivisht thirrjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke pohuar se është gati të takohet me të.

Vuçiç deklaroi disa ditë më parë se do të kërkonte takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Serbisë Aleksandar Vucic dhe patjetër që jam i gatshëm të takohem. Jemi të shqetësuar për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtensionojnë situatën dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë më tej gjendjen në rajon”, shprehet Jens Stoltenberg.

Stoltenberg përsëriti se NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon. “Ne e zbatojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme. E shtuam praninë tonë për shkak të destabilitetit, dhunës dhe tensioneve që kemi parë për disa javë”, tha ai.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, aleanca ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave të dislokuara me kohë atje. Bashkimi Europian i ka paraqitur tre kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet. Për shkak të mos përmbushjes së tyre, BE-ja nga fundi i qershorit ka nisur të zbatojë disa masa ndëshkuese.

Top Channel