Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në LITEXPO, Qendra e Ekspozitave dhe Kongreseve Lituaneze, në samitin e NATO-s.

Udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të takohen në Vilnius të Lituanisë sot dhe nesër.

Rama tha se Samiti në Vilnius i gjen aleatët më të fortë dhe më të vendosur për ruajtjen e paqes.

“Dhe me mesazhin e këtij viti të Samitit të Vilnius, Lituani që i gjen aleatët e NATO-s më të fortë e më të vendosur, për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë e popujve tanë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Ky samit mund të jetë një samit vendimtar që mund të formësojë drejtimin e luftës në Ukrainë dhe të ardhmen e aleancës perëndimore.

31 aleatët shpresojnë t’i tregojnë Rusisë se kanë vendosmërinë për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën për një afat të gjatë.

Turqia gjithashtu hoqi kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancë. Pas saj edhe Hungaria dha dritën jeshile.  Lajmi u mirëprit nga SHBA dhe Gjermania, si dhe vetë Suedia.

Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Top Channel