Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço e ka konsideruar Fushë Krujën një Lazarat të dytë, e cila sipas tij, shërben si një pikëlidhje për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.
I ftuar në “Top Story”, Karamuço tha se rrjeti është zmadhuar aq shumë këto 20 vitet e fundit, saqë ka lidhje me organizatat e tjera kriminale në të gjithë Shqipërinë.
Madje – madje përplasjet e shumta me njeri-tjetrin, thotë eksperti i Kriminalistikës, i bëri që ata të krijojnë një lloj “universiteti” për trajnimin e vrasësve me pagesë. Diçka e tillë duket qartë edhe në faktin se sa herë që ndodhin atentate apo vrasje, makina gjendet e djegur pranë këtyre zonave, u shpreh Karamuço.
“Ajo që tha Anila është shumë e vërtetë, videoja e rrahjes ka dalë nga vetë dhunuesit si një trofe: – Shiko çfarë kemi bërë. Madje përciell edhe mesazhin që “shikoni çfarë do t’iu bëjmë edhe juve të tjerëve po qe se vazhduat kështu”.
Sepse aty nuk bëhet fjalë për një familje, janë një sërë familjesh që ankohen. Jo vetëm për guroren, por edhe për biznese të tjera që kanë, për gardhe etj. etj.. Pra janë gjëra fare të rendomta.
Problemi qëndron se me daljen e kësaj video kemi një Komisariat që pothuajse shkrihet fare, sepse aktualisht forcat e rendit që kontrollojnë zonën janë vetëm RENEA dhe FNSH, s’ka asnjë polic lokal. Janë larguar sepse nuk e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve punën, dhe ata rrezikojnë të ekspozohen tani. Ose do fajësohen nga njëra palë, ose nga pala tjetër.
Madje kërkohen edhe përgjegjësit, pra “kush na e ka çuar te personat e tjerë ankesën e parë dhe të dytë…”. Pra pse na keni dekonspiruar, atë besim që ju kemi dhënë për ta ndjekur këtë ngjarje sipas procedurave.
Në momentin e parë ka pasur dy- tre të shoqëruar, pa u bërë videoja publike. Kanë ardhur në Tiranë sepse nuk shkonin dot në Fushë-Krujë. Edhe kjo duhet të jetë zyrtare ë, unë po e them me aq sa di, pastaj janë liruar. Këta të dy që janë liruar fillimisht, janë nxjerrë pastaj në kërkim policor. Këtu ka pasur një debat të madh sepse lind pyetja: – ore kur i kishim aty pse i liruam, të dilte video që t’i nxirrnim në kërkim për ti arrestuar?
Pra, hetues edhe gjithë Policia, për shkak të gjithë këtij histerizmi të madh për një zonë të paprekshme, ku policët o korruptohen, ose intimidohen, ose kanë frikë. Ka vijuar kjo sagë në përgjithësi sepse aty nuk flitet vetëm për guroren, gjithë zona e Krujës dhe Fushë Krujës problem kryesor ka kanabis sativën, ka lidhjet ndërkombëtare, transnacionale të drogës.
Fushë Kruja ka lidhje në rrjet me të gjitha organizatat e tjera kriminale në të gjithë Shqipërinë. Fieri, Durrësi, gjithçka. Këto o janë me njerin o janë me tjetrin, dhe këto armiqësi i kanë bërë ata të kenë një llojë mini akademie, “universiteti” edhe për këta vrasësit me pagesë. Çdo ngjarje e fundit që ka ndodhur, të gjithë parkojnë afër Fushë Krujës dhe djegin makinat. Çështë kjo?
Ose atentatet që kanë ndodhur kohët e fundit kanë ndodhur të gjitha tek ai aks. Pra ka një konfliktualitet të madh, dhe këtu nuk fus vetëm dy fiset në fjalë që po përplasen, por problematikën dhe fenomenin e të gjithë zonës, që unë e kam përmendur deri diku “Lazarati 2”. Ky është “Lazarati 2”. Unë nuk e lidh këtë politikisht sepse ata kanë mbi 20 vjet që rriten, rriten dhe vetëm rriten.
Ata janë rritur gradualisht, kanë marrë nga të gjitha krahët, duke arritur të ruajnë edhe interesin ekonomik, edhe kontaktet politike, siç rriten grupet normalisht”- tha Karamuço.
Top Channel