Shirat të rrëmbyer kanë goditur rajonet jugperëndimore të Japonisë, duke shkaktuar përmbytje masive e rrëshqitje të mëdha toke.
Dy persona humbën jetën e 6 të tjerë konsiderohen të zhdukur, pasi lumenj uji e balte vërshuan në rajonet Kyushu dhe Çugoku gjatë gjithë fundjavës. Rrugët në zonë janë mbyllur, qarkullimi i trenave është ndërprerë, e në disa fshatra është bllokuar furnizimi me ujë.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi një paralajmërim urgjent për shi të dendur për prefekturat Fukuoka dhe Oita në ishullin kryesor jugor të Kyushu, duke u kërkuar sidomos banorëve në zonat buzë lumenjve dhe kodrave që të kenë kujdes maksimal.
Më shumë se 1.7 milionë banorëve në zonat e prekura iu kërkua të evakuohen. Qeveria japoneze ja ngritur me urgjencë një grup pune dhe është angazhuar maksimalisht në organizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit. Japonia e vendos jetën e njerëzve në plan të parë, theksoi sekretari kryesor i kabinetit, Hirokazu Matsuno.
Një nga viktimat ishte një burrë i cili ra bashkë me makinën e tij në një lumë në prefekturën Jamaguçi. Në qytetin Soeda, në prefekturën Fukuoka, dy persona ngecën nën një rrëshqitje dheu. Njëri u shpëtua i gjallë, por tjetri u gjet pa shenja jete dhe më vonë u shpall i vdekur, sipas zyrtarëve lokalë.
Top Channel