Krerët e NATO-s pritet të konfirmojnë në samitin në Vilnius se situata në Kosovë është serioze dhe se misioni i aleancës, KFOR, është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të pakicës serbe në veri.
Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë përcolli për REL bindjen e tij se telashet do të ishin shumë më të mëdha nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë.
“Mendoj se Kosova është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe”, thotë ai.
“Kam ndaluar së numëruari krizat midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk janë të mira për asnjërën prej palëve. Po ua humbasin durimin edhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë. Sepse, është një shpërqendrim nga gjëja kryesore që po ndodh në Europë, lufta në Ukrainë, e që do ta përcaktojë edhe të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës. Kjo është për të ardhur keq. Por, është edhe çështje e zgjedhjeve politike të të dy liderëve Kosovës dhe Serbisë se sa larg do të shkojnë me këto tensione dhe me veprime të njëanshme. Veprimet e njëanshme kanë ardhur më shumë nga Beogradi, por gjatë vitit të fundit edhe nga Prishtina”, vazhdon Niç.
Eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të NATO-s shprehet se nuk është çudi që Aleksandër Vuçiç ta luajë për kohë të gjatë lojën “edhe Perëndimi, edhe Rusia”.
“Nëse lexoni analiza për ndikimin e luftës ruse në rendin global, ajo është një shtytje e madhe për të ashtuquajturat fuqi të mesme, si Turqia dhe Izraeli, pasi mund ta rrisin – në njëfarë mënyre – hapësirën e manovrimit midis Perëndimit dhe Rusisë. Nëse nuk jeni një vend shumë i vogël dhe keni rëndësi strategjike, mund ta luani këtë lojë. Pra, hapësira e manovrave strategjike të Vuçiçit është rritur dhe kjo është ajo që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka nënvlerësuar”, mendon ai.
Top Channel