Në përgjigje të thirrjes së qeverisë për të mbjellë grurë dhe ulur pasojat e çmimit të lartë të tij në tregjet ndërkombëtare pas luftës në Ukrainë, shumë fermerë në Durrës morën me qira dhe mbollën sipërfaqe të mëdha toke me grurë, por sot po përballen me kostot e larta të kultivimit, rendiment të ulët dhe çmim nën kosto.

“Ky është viti më i keq. Ne fshatarët qahemi shumë, por sivjet është vërtet për të qarë”, tha agronomi Gëzim Ramaliu.

“Nuk ia vlen me këtë çmim që është. Nuk ka fitim fare. Më mirë mos ta mendosh”, tregon fermeri Julian Agolli.

Po pse mbollët më shumë se vjet?

“Mbollëm se Qeveria tha mbillni grurë. Dikush përfitoi, dikush jo dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha ai.

Fermerët ndjehen të braktisur përballë një tregu kaotik dhe të pamëshirshëm që nën ndikimin e kompanive grosiste të miellit po e ul më tej çmimin e grurit, duke goditur rëndë prodhuesit vendas.

“Kosto është shumë e lartë, shkon mbi 60 lekë/kg, kurse çmimi i blerjes 20-25 lekë/kg. Llogaritini vetë se çfarë humbjesh ka këtë vit. Me shit në këto kushte është të groposesh akoma më shumë”, tha Ramaliu.

“Është detyrë e Ministrisë së Bujqësisë që të kontrollojë çmimin dhe përmes doganës sepse fshatarët kanë sasi të mëdha gruri që do të kthehen në faktor ndotjeje”, u shpreh fermeri Zenel Koçi.

Një pjesë e bujqve e kanë shitur nën kosto grurin, në pamundësi për ta magazinuar diku. Fermerët e mëdhenj po rezistojnë duke pritur të ndërhyjë ministria si rregullator në treg.

“Kam rreth 400 kv grurë. Do pres të reagojë qeveria se i bie ta shes 50% nën kosto Kjo është premisë që mos të mbillet grurë vitin tjetër. Na premtuan subvencionim për hektarë që nuk i morëm”, tha fermeri.

Të zhgënjyer, pas korrjes ka nga ata që e kanë nxjerrë tokën në shitje dhe te tjerë që thonë se nuk do të dorëzohen.

“Njerëzit do ta shesin e do të ikin se janë pa shpresë. Mënyra si ne shpërblehemi na bën të pashpresë. Nuk gjejmë as punëtorë. Jemi keq fare”, tha Koçi.

“Kosto na ka dalë zero fare, po mos me e lënë punën dhe skemi për ta lënë, me shpresë se do të vijë një ditë që do rregullohen gjërat. Me shpresë jetohet në Shqipëri. Të garantuar nuk ka asgjë”, sipas fermerit Agolli.

Në zonat e Manzës dhe Sukthit, korrja e grurit vazhdon, ndërsa fermerët i bëjnë thirrje qeverisë të ndërhyjë për grumbullimin e drithit dhe të mbështesë kultivuesit me politika subvencionuese të diferencuara.

“Fermeri është i humbur ndaj politikat qeverisëse duhet të jenë në mbështetje të fermerit dhe të drejtohen politikat sipas nevojave. Në qoftë se ferma jonë që ka sipërfaqe të mëdha duhet subvencionuar te nafta, ferma më e vogël duhet mbështet me financim të drejtpërdrejt ose blerje të prodhimit”, tha Ramaliu.

“Alarm! Ministria e bujqësisë të vejë dorë, të grumbullojë e sistemojë drithin se e kanë njerëzit nëpër kasolle të pasigurt“, përfundoi Koçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA